
Erion Veliaj, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak lidhur me procedurën e iniciuar për shkarkimin e tij, që do të zhvillohet ditën e nesërme.
Në dokumentin e firmosur prej tij, Veliaj thekson se nuk është informuar zyrtarisht nga sekretari i Këshillit për zhvillimin e mbledhjes së parashikuar, duke u njohur vetëm nga burime mediatike.
Prej disa ditësh Kryeministri Edi Rama propozoi shkarkimin nga detyra të Veliajt, ndërsa propozoi si kandidate të PS në garë, Ogerta Manastirliun.
Përgjigjja e Veliajt:
Në datën 22 shtator 2025, Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00.
Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës.
Edhe një ditë para mbledhjes:
Kujtojmë se Kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës.
Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike.
Top Channel