Ministrja Koçiu konfirmon Top Channel: E shkarkova zv.ministrin, bashkatdhetari nga New York e denoncoi për tymosjen e duhanit brenda restorantit

22/09/2025 20:21

Që pas lajmit të raportuar fillimisht nga Top Channel, ministrja Albana Koçiu konfirmon shkarkimin zv.ministrin Andi Mahila nga detyra.

Cigarja që po konsumonte brenda një ambienti të mbyllur i ka kushtuar vendin e punës zv.ministrit.

Koçiu shprehet se denoncimi ishte bërë nga një bashkatdhetar në New York, ndërsa shton se pas verifikimeve të bëra, u shkarkua zv/ministri.

Reagimi:

Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit.

Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.

Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova  zv.ministrit largimin nga detyra.

Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.

I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.

Top Channel