Marrëveshja për ngrirjen e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, presidenti i Koresë së Jugut: Do të ishte e pranueshme

22/09/2025 09:49

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, tha në një intervistë për BBC se do të pranonte një marrëveshje të mundshme midis Donald Trump dhe Kim Jong Un që do të ngrinte prodhimin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, edhe nëse nuk përfshin denuklearizim të plotë.

Ai e përshkroi këtë si një “masë të përkohshme emergjente” dhe një “alternativë realiste”.

Lee argumentoi se Veriu po prodhon 15–20 armë bërthamore në vit dhe theksoi se është më e vlefshme të arrihet një ngrirje sesa të këmbëngulet në një denuklearizim të parealizueshëm për momentin. Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do të sillte përfitime reale për paqen dhe sigurinë në rajon.

Komentet vijnë përpara pjesëmarrjes së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Koreja e Jugut aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, megjithatë Lee u tregua i rezervuar për efektivitetin e tij, për shkak të bllokadave të vazhdueshme nga Kina dhe Rusia ndaj sanksioneve për Korenë e Veriut.

Presidenti Lee pranoi se afërsia në rritje mes Koresë së Veriut, Kinës dhe Rusisë përbën një sfidë të madhe për Seulin, por nënvizoi se Koreja e Jugut do të forcojë aleancat me SHBA-në dhe Japoninë për të ruajtur ekuilibrin rajonal.

Top Channel