
Ministria amerikane e Mbrojtjes tashmë u kërkon gazetarëve të akredituar që ajo vetë të miratojë publikimin e çdo informacioni që e prek atë, qoftë i klasifikuar apo jo.
Nëse nuk e bëjnë këtë, ata rrezikojnë të humbasin aksesin e tyre në Pentagon.
Këto kufizime të reja, të cilat u bënë të ditura me një memo të Pentagonit të premten, u kritikuan menjëherë nga organizata dhe shoqata gazetareske. Ja disa nga deklaratat e tyre:
Reuters
“Jemi thellësisht të shqetësuar për kufizimet e shpallura së fundmi nga Pentagoni mbi mbulimin gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është thelbësor për demokracinë amerikane, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie. Çdo përpjekje nga qeveria amerikane për të kufizuar aftësinë e gazetarëve për të mbuluar lajmet minon mbrojtjet e ofruara nga Amendamenti i Parë (i Kushtetutës së SHBA-së) dhe kufizon rrjedhën e lirë të informacionit që është kritike për debatin publik të informuar. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbuluar Pentagonin në një mënyrë të paanshme, të saktë dhe të pavarur, në përputhje me Parimet e Thomson Reuters”, tha Reuters në një deklaratë.
New York Times
“Kërkimi nga gazetarët e pavarur t’i nënshtrohen kufizimeve të tilla bie ndesh me mbrojtjet e Kushtetutës për një shtyp të lirë në një demokraci dhe (përfaqëson) një përpjekje të vazhdueshme për të shtypur të drejtën e publikut për të kuptuar se çfarë po bën qeveria e tyre. Ky është një hap tjetër në një trend shqetësues të kufizimit të aksesit në atë që bën ushtria me shpenzimet e taksapaguesve. Gazetarët tanë do të vazhdojnë të raportojnë faktet plotësisht dhe objektivisht”, tha një zëdhënës i New York Times.
Wall Street Journal
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga ky zhvillim dhe çfarë domethënie ka ai. Aktualisht po vlerësojmë ndikimin e tij në fuqinë punëtore të gazetarisë”, tha një zëdhënës i Wall Street Journal.
Washington Post
“Kushtetuta mbron të drejtën e shtypit për të raportuar mbi veprimet e zyrtarëve qeveritarë të zgjedhur dhe të emëruar në mënyrë demokratike. Çdo përpjekje nga qeveria për të kontrolluar mesazhet dhe për të kufizuar aksesin është në kundërshtim me Amendamentin e Parë dhe kundër interesit publik. Washington Post do të vazhdojë të ndjekë raportim të saktë dhe të drejtë duke pasur parasysh këtë interes”, komentoi Matt Murray, drejtori ekzekutiv i gazetës.
Top Channel