
Pas prezantimit të parë të Kodit të Ri Penal më 25 korrik dhe diskutimeve të përsëritura nga Ministria e Drejtësisë, disa nga dispozitat e reja vijojnë të ngjallin debat, veçanërisht ato që prekin lirinë e shprehjes dhe shpifjen.
Në një reagim zyrtar për Top Channel, Bashkimi Evropian konfirmon se aktualisht po analizon ndryshimet, por shpreh shqetësim për disa prej dispozitave të reja që mund të cenojnë lirinë e medias dhe të drejtat e qytetarëve.
“Ne jemi në dijeni të shqetësimeve serioze të shprehura nga përfaqësues të sektorit të drejtësisë, si edhe nga shoqëria civile, në lidhje me një sërë projekt-ndryshimesh. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për disa amendamente të propozuara nga grupi i punës që mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Këto dispozita nuk janë të përafruara me standardet e BE-së dhe ne jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësimin, këto shqetësime do të adresohen”.
Ndërsa drafti i plotë i Kodit është ende në proces konsultimi publik, Bashkimi Europian kërkon që ky proces të jetë i gjerë, gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrje të të gjithë aktorëve, nga institucionet e drejtësisë, tek shoqëria civile dhe media.
“Ky rishikim më i gjerë i Kodit Penal është një ndërmarrje komplekse, me ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë penale. BE-ja thekson rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si edhe me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë përkatës, me qëllim që legjislacioni që do të rezultojë të jetë i cilësisë më të lartë”.
Në përgjigjen e tij Bashkimi Evropian thotë se inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi ndryshimeve ligjore të lidhura me Kodin Penal që janë të nevojshme për të përmbushur kriteret ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së.
Top Channel