Britania paralajmëron Izraelin: Mos u hakmerrni për njohjen e shtetit palestinez

22/09/2025 10:01

Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Yvette Cooper, ka paralajmëruar Izraelin që të mos hakmerret për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetin e Palestinës, duke e ndaluar veçanërisht aneksimin e territoreve në Bregun Perëndimor.

Në një intervistë për BBC përpara pjesëmarrjes në një konferencë në OKB të hënën në Nju Jork, ku Franca dhe vende të tjera evropiane pritet të bëjnë njoftime të ngjashme, Cooper theksoi se kishte qenë e qartë me homologun izraelit që një veprim i tillë nuk duhet të ndodhë.

Ky ndryshim i rëndësishëm në politikën britanike u bë publik të dielën nga kryeministri Keir Starmer, i cili bashkë me Kanadanë, Australinë dhe Portugalinë, njoftuan njohjen e shtetit palestinez. Starmer tha se kjo ishte një përpjekje për të ringjallur shpresën për paqe dhe zgjidhje me dy shtete.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi ashpër lëvizjen, duke e quajtur një “shpërblim të madh për terrorizmin”. Ai shtoi se “njohja e shtetit palestinez nuk do të ndodhë kurrë”.

E pyetur nga BBC nëse kishte shqetësime që Izraeli mund ta përdorë njohjen si pretekst për aneksime në Bregun Perëndimor, Cooper tha se e kishte bërë të qartë se Izraeli nuk duhet të ndërmarrë veprime të tilla. A

“Ky vendim është mënyra më e mirë për të respektuar sigurinë e Izraelit, si dhe të palestinezëve. Është për paqen, drejtësinë dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.”-tha ajo.

Diplomatja tha gjithashtu se ekstremistët nga të dyja palët po përpiqen të sabotojnë çdo perspektivë për një zgjidhje me dy shtete, gjë që sipas saj Britania ka një detyrim moral për ta rikthyer në fokus.

Shtetet e Bashkuara e quajtën njohjen “dhuratë diplomatike për Hamasin” pas sulmit të 7 tetorit 2023 ku u vranë 1,200 izraelitë dhe u morën 251 pengje. Por Starmer theksoi se Hamas nuk ka asnjë të ardhme në një shtet palestinez.

Ndërkohë, Hamasi e përshëndeti vendimin si “një hap të rëndësishëm për të konfirmuar të drejtën e popullit palestinez për tokën dhe vendet e tij të shenjta”, por kërkoi masa praktike për t’i dhënë fund menjëherë luftës.

Aktualisht, Palestina njihet si shtet nga rreth 75% e vendeve anëtare të OKB-së, por ende nuk ka kufij të njohur ndërkombëtarisht, kryeqytet apo ushtri.

Zgjidhja me dy shtete përfshin krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet, përgjatë vijave të para vitit 1967.

Top Channel