SHBA vendosi tarifë 100 mijë dollarë për vizën H-1B, India paralajmëron pasoja humanitare

20/09/2025 22:48

India ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të papritur nga Shtetet e Bashkuara për të vendosur një tarifë të re prej 100 mijë dollarësh për aplikimet e reja për vizën H-1B, vizë që u jepet punonjësve të kualifikuar nga jashtë për të punuar në sektorin teknologjik dhe profesionist në SHBA.

Vendimi, i firmosur nga Presidenti Donald Trump të premten, do të hyjë në fuqi më 21 shtator dhe përfaqëson një rritje drastike, më shumë se 60 herë krahasuar me tarifën aktuale.

India është vendi më i prekur nga ky ndryshim, pasi qytetarët e saj përbëjnë mbi 70% të vizave H-1B të lëshuara çdo vit nga autoritetet amerikane.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Indisë paralajmëroi se kjo masë do të ketë “pasoja humanitare”, duke theksuar se rregullorja e re “do të shkaktojë ndërprerje për shumë familje dhe profesionistë që jetojnë dhe punojnë në SHBA”.

Shpresojmë që këto ndërprerje të trajtohen në mënyrë të përshtatshme nga autoritetet amerikane,” thuhet më tej në deklaratë.

Qeveria indiane theksoi se shkëmbimi i punonjësve të kualifikuar ka sjellë përfitime të mëdha për të dyja vendet, duke krijuar lidhje të forta mes njerëzve dhe ekonomive respektive. Ndërkohë, nuk është dhënë asnjë detaj mbi ndonjë kundërpërgjigje të mundshme nga ana e Indisë.

Ky vendim vjen në një moment të tensionuar mes SHBA-së dhe Indisë, pas vendosjes së tarifave ndëshkuese nga Uashingtoni ndaj New Delhit për blerjet e naftës ruse. Të dy vendet janë përfshirë në negociata të vështira tregtare, ndërsa India ka konfirmuar se ministri i Tregtisë, Piyush Goyal, do të udhëtojë në SHBA të hënën për bisedime të drejtpërdrejta.

Sipas zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, gjatë vitit 2024, Amerika ka eksportuar 41.5 miliardë dollarë mallra në Indi, ndërsa ka importuar 87.3 miliardë dollarë.

Disa kompani amerikane në sektorin e teknologjisë kanë këshilluar punonjësit e tyre me viza H-1B që të qëndrojnë në SHBA dhe të mos udhëtojnë, për shkak të pasigurisë së krijuar nga ndryshimi i papritur i politikës.

Organizata më e madhe indiane për industrinë e IT-së, Nasscom, ka paralajmëruar se kjo masë po krijon “pasiguri të madhe për bizneset, profesionistët dhe studentët në mbarë botën”.

Në arsyetimin e vendimit, Shtëpia e Bardhë deklaroi se vizat H-1B “nuk po përdoren për qëllimin për të cilin ishin krijuar”, duke përmendur abuzime të mundshme që, sipas tyre, po dëmtojnë tregun e punës amerikan dhe po përdoren për të outsourcuar pozicione të rëndësishme në teknologji.

Megjithatë, urdhri presidencial përfshin një klauzolë që lejon përjashtime rast pas rasti, kur aplikimi konsiderohet në interesin kombëtar të SHBA-së.

Top Channel