Djali i Ricky Hatton thyen heshtjen pas vdekjes së legjendës së boksit: Ishe modeli im në çdo aspekt të jetës

17/09/2025 08:38

Djali i Ricky Hatton, Campbell Hatton, ka reaguar për herë të parë pas ndarjes tragjike nga jeta të të atit, ikonës së boksit britanik.

Në një postim emocional në rrjetet sociale, 24-vjeçari shkroi “Zemërthyer nuk është fjala e duhur për ta përshkruar. Gjithmonë më kanë thënë që isha kopja jote,  dhe nuk ka fjalë më të saktë.”

Në homazhin e tij, Campbell shton “Të kam pasur model në çdo aspekt të jetës. Nuk mund të shpjegoj sa shumë do të më mungojnë të qeshurat, momentet e bukura, gjithçka që kemi kaluar bashkë. Nuk e besoj dot që nuk do të kemi më të tilla. Të dua, babi.”

Postimi u shoqërua me video prekëse të dyshes duke kënduar, duke përqafuar njëri-tjetrin dhe duke kaluar kohë bashkë në çaste familjare.

Ricky Hatton, 46 vjeç, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Hyde, Greater Manchester, në orët e para të mëngjesit të së dielës. Lajmi tronditi botën e sportit, ndërsa policia e zonës konfirmoi se nuk dyshohet për rrethana të dyshimta në vdekjen e tij.

Sipas mediave britanike, ishte menaxheri dhe miku i tij i ngushtë, Paul Speak, ai që e gjeti trupin e pajetë të kampionit. Hatton, i cili së fundmi po përgatitej për një rikthim në ring me një përballje në Dubai në dhjetor, po përballej me vështirësi fizike dhe emocionale. Vetëm pak ditë më parë, ai kishte marrë pjesë në funeralin e mikut të tij të ngushtë, David Leigh, i cili kishte ndërruar jetë në rrethana tragjike.

Në një tjetër postim prekës të asaj kohe, Ricky kishte shkruar “Lamtumirë mikut tonë Dave Leigh. Do doja të kishe kërkuar ndihmë. Kishim shumë njerëz pranë për ty. Të dhamë një përcjellje të denjë. Shihemi së shpejti. –Rick.”

Familja Hatton ka nxjerrë një deklaratë publike, ku shprehet se “Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të të dashurit tonë, Richard. Ai ishte shumë më tepër se një kampion bote. Ishte një baba, gjysh, vëlla dhe mik i vërtetë. Ai kishte një zemër aq të madhe sa buzëqeshja e tij, dhe mirësi, humor e besnikëri që preknin çdokënd që kishte fatin ta njihte.”

Ricky Hatton fitoi tituj botërorë në peshat ‘light-welterweight’ dhe ‘welterweight’, duke u përballur me emra legjendarë si Floyd Mayweather Jr. dhe Manny Pacquiao. Ai mbetet një nga sportistët më të dashur britanikë, brenda dhe jashtë ringut.

Vetëm pak ditë para vdekjes, Hatton kishte dërguar një mesazh mbështetës për një djalë të vogël që vuante nga bullizmi në shkollë, duke e inkurajuar të vazhdonte me stërvitjet në boks dhe të mos dorëzohej.

FOTO GALERI
6/8

Top Channel