LIVE/ Dita e pestë e protestës së dhunshme! Flakë, tym dhe gaz lotsjellës, bulevardi kthehet në arenë lufte mes protestuesve dhe policisë. Një makinë digjet pranë Kryeministrisë
Nga Aurel Plasari
Ky djalë ju mundi. Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, jua bëri ky djalë: ju mundi, madje ju poshtëroi, ju përdhosi.
E bëri duke protestuar, duke reaguar, duke mos qenë në një mendje me ju, duke mos u pajtuar me politikën tuaj, duke e vënë në dyshim autoritetin tuaj, domethënë: me armën më të fortë të mundshme që është të menduarit ndryshe.
Kujtoni se do të harrohet se ku e kishit mbërthyer në hekura si martirët në Mesjetë? Në vendin më të përshtatshëm për turpin tuaj: në portat e Ministrisë që etiketohet si e “Arsimit”. Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni, pse do të ikni. Nga historia e qeverisjes suaj këtë njollë nuk do ta shlyeni dot kurrë.
Ja ai në shtratin e spitalit, i plagosur prej jush, i ruajtur nga policë që më nuk janë tanët, dhe po lexon. Është pra nga ata studentë që, edhe në kushtet më të pavolitshme, lexojnë libra. Dhe më kujtohet Heine-ja, kur policët prusianë i kontrollonin bagazhet, – siç u kontrolloni ju sot çantat adoleshentëve, – kurse poeti i tall duke thënë me vete: Ç’rrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj, kur unë kam në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se gjithë autorët e ndaluar prej jush në Prusi?!
Bibliotekave në kokë të një brezi tjetër, që mendon ndryshe prej jush, si do t’ia bëni?
Sa e kam zili!
Top Channel