
Kryeministri Edi Rama ka ndarë momente nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin në Gjykatën Speciale të Hagës.
Sipas kryeministrit, ky proces gjyqësor po njollos drejtësinë ndërkombëtare.
“LIRIA KA EMËR. Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare”, shkruan Rama.
Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, si dëshmitari i parë për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, ka përfunduar për sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, për të vazhduar nesër për ditën e tretë radhazi.
Ai e nisi dëshminë me përshtypjen fillestare të Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1999, duke thënë ato kishin përshtypje më ndryshe.
Rubin tregoi se si fillimisht e përshkruanim atë si organizatë me aktivitete terroriste, duke shtuar se “ne, natyrisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste”.
“Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë“, u shpreh ai.
Rubin gjithashtu theksoi se organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë.
I pyetur nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të OKB-së, ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, Rubin tha se hezitoi t’i besonte raportit.
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh“, ka thënë ai.
Top Channel