Superoperacion në portin e Pireut / Sekuestrohen mbi 2,000 kontejnerë, destinacion i trafikut të kontrabandës edhe Shqipëria

15/09/2025 21:34

Në një super operacion të policisë greke dhe të koordinuar prej prokurorisë europiane, është shkatërruar një linjë ndërkombëtare trafiku mallrash të përmasave gjigante.

Degë të trafikut edhe në vendet ballkanike dhe Shqipëri.

Sipas informacioneve të deritanishme, 2,435 kontejnerë janë sekuestruar në portin e Pireut gjatë orëve të mbrëmjes së së hënës, ndërsa 350 të tjerë janë ende të padeklaruar, por që autoritetet thonë se edhe ata do të verifikohen dhe sekuestrohen gjatë orëve në vazhdim.

Operacioni që ende vazhdon, konsiderohet si më i madhi i llojit të tij deri tani në historinë e Bashkimit Europian. Deri tani është verifikuar se dëmi i shkaktuar ekonomisë së vendeve europiane nga taksat e importit dhe TVSH-ja llogaritet në mbi afro 800 milionë euro, kurse vlera e mallrave të sekuestruara kalon 250-300 milionë euro.

500 kontejnerë të sekuestruar janë ngarkuar me skuterë elektrikë, ndërsa dyshohet se në të tjerët ndodhen pajisje elektrike, veshje, sasi këpucësh dhe mallra të ndryshme industriale.

Dyshohet se disa të tjerë kanë edhe sasi mallrash kontrabandë si cigare dhe mallra me marka të falsifikuara.

Prokuroria europiane thotë se organizata përdorte pikërisht portin e Pireut dhe terminalin e COSCO-s në këtë port, kurse të gjithë kontejnerët e sekuestruar janë pronë e kësaj kompanie, e cila është pronë e shtetit kinez, çka shton dyshime për një skandal të përmasave shtetërore ku janë të përfshirë edhe eksponentë qeveritarë kinezë.

Mësohet se në ngarkesat e sekuestruara, ngarkesat deklaroheshin të ndryshme nga çfarë ishin në të vërtetë dhe zhdoganoheshin me kod tjetër nga ai që duhet të importoheshin realisht, duke krijuar evazion miliona eurosh.

Përfituesit e kësaj kontrabande janë kryesisht kompani kineze në vendet e Europës, kurse e sigurt konsiderohet edhe përfshirja e vendeve të rajonit në këtë kontrabandë.

Veç mijëra ngarkesave me destinacion vendet europiane, janë dhjetëra kontejnerë me destinacion Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën ndër të sekuestruarat.

Deri tani janë arrestuar dy doganierë të doganës së Pireut, 5 agjentë doganorë, dhe pritet ngritja e akuzave edhe për subjektet tregtare të përfshira.

Top Channel