
Giorgio Armani kishte lënë dy testamente, të shkruara me dorë dhe të vulosura në një zarf të mbyllur.
Këto dy dokumente sekrete do të përcaktojnë ndarjen e pasurisë së tij, e cila vlerësohet mes 11 dhe 13 miliardë eurove, si dhe të ardhmen e kompanisë Giorgio Armani SpA – themeluar nga vetë stilisti në Piacenza, rreth 50 vjet më parë.
Të dy dokumentet janë të kohëve të fundit, testamenti i parë mban datën 15 mars 2025, ndërsa i dyti datën 5 prill. Ato u hapën zyrtarisht më 9 shtator nga noteria Elena Terrenghi. Ndërkohë, familja ka pranuar që emri i stilistit të regjistrohet në kapelën përkujtimore të Milanos.
Pasuria e Giorgio Armanit përfshin një rrjet të gjerë pronash të paluajtshme dhe asete të tjera luksoze. Ndër to janë supervilat në destinacione prestigjioze si Antigua, Nju Jork, Paris, Shën Moritz, Pantelleria dhe Saint-Tropez, një apartament i vlefshëm në Nju Jork, si dhe vila historike në Forte dei Marmi. Ai ishte gjithashtu pronari i La Capannina, një nga lokalet më të famshme të Forte dei Marmi.
Pasuria përfshin gjithashtu jahte luksoze, vepra arti dhe mbi të gjitha, një pjesë prej 99.9% të aksioneve në Giorgio Armani SpA (me 0.1% në pronësi të Fondacionit Armani). Ai kishte gjithashtu aksione në kompani të tjera italiane dhe ndërkombëtare, përfshirë gjigandin e syzeve EssilorLuxottica dhe kantieret e luksit The Italian Sea Group.
Dy testamentet dhe ndarja e pasurisë
Të dy testamentet ishin shkruar me dorë dhe të ruajtura në mënyrë të sigurt në një zarf të mbyllur. Duke qenë dy dokumente të veçanta, mund të supozohet se testamenti i dytë e plotëson ose e ndryshon pjesërisht të parin. Giorgio Armani ndërroi jetë më 4 shtator, në moshën 91-vjeçare, si një nga njerëzit më të pasur në Itali.
Giorgio Armani nuk kishte fëmijë dhe për këtë arsye nuk kishte trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Kjo i dha atij mundësinë që të caktonte lirisht ndarjen e pasurisë, pa u kufizuar nga “pjesët legjitime” që ligji rezervon për bashkëshortin dhe fëmijët.
Familja e tij përfshin motrën Rosanna Armani, nipin Andrea Camerana (djali i Rosannës), si dhe mbesat Silvana dhe Roberta Armani, vajzat e vëllait të ndjerë Sergio. Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të stilistit përmendet Leo Dell’Orco, krahu i djathtë i Armanit për shumë vite dhe menaxher me rol kyç në grup.
Në vitet e fundit, Giorgio Armani kishte menduar me shumë kujdes për të ardhmen e kompanisë së tij, e cila është private dhe e palistuar në bursë. Në testament, ai kishte theksuar nevojën për ruajtjen e stilit, mesazhit dhe identitetit të markës, si dhe për qëndrimin e selisë qendrore në Itali. Ai kishte rekomanduar gjithashtu që kompania të mos listojë në bursë për të paktën pesë vitet e para pas ndarjes së tij nga jeta.
Sipas zërave të para, një rol qendror në të ardhmen e kompanisë mund t’i caktohet Fondacionit Armani, një institucion i krijuar nga vetë stilisti mbi një dekadë më parë. Fondacioni, themeluar së bashku me Leo Dell’Orco dhe bankierin Irving Bellotti nga Rothschild Italia, mund të marrë përsipër drejtimin dhe kontrollin e përgjithshëm të grupit.
Në vitin 2023, Armani kishte përditësuar statutin e kompanisë, duke futur gjashtë klasa aksionesh me të drejta të ndryshme votimi. Aksionet e kategorive A dhe F – ato me fuqinë më të madhe vendimmarrëse – sipas të gjitha gjasave i janë ndarë Fondacionit Armani, për të garantuar stabilitet dhe vazhdimësi, si dhe për të shmangur fragmentimin e kontrollit të kompanisë. Pavarësia e markës ishte një nga parimet më të rëndësishme për stilistin.
Ndërkohë, Milano po përgatitet për Javën e Modës që do të mbahet më 23–29 shtator – e para pa praninë e Giorgio Armanit. Ngjarja do t’i kushtohet plotësisht kujtimit të tij. Carlo Capasa, presidenti i Dhomës Italiane të Modës, deklaroi:
“Ne e festojmë Javën e Modës në Milano në nder të një prej themeluesve të saj Giorgio Armanit. Trashëgimia e tij krijuese, sipërmarrëse dhe humane është e paçmueshme, sidomos në këtë kohë transformimi për industrinë e modës, ku vizioni, cilësia dhe qëndrueshmëria janë thelbësore.”
Kryebashkiaku Giuseppe Sala konfirmoi gjithashtu se emri i stilistit do të regjistrohet në Famedio, ndër emrat që kanë bërë Milanon të madhe përmes kreativitetit, elegancës dhe stilit të tyre të veçantë.
Top Channel