Kosova kampione e Botës… jozyrtarisht/ Fitorja ndaj Suedisë i jep “Dardanëve” një titull të veçantë historik

09/09/2025 19:46

Triumfi i Kosovës ndaj Suedisë në kualifikueset e Botërorit nuk solli vetëm një mbrëmje magjike në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, por edhe një kurorë të papritur: titullin kampion “jozyrtar” të botës në futboll.

Ndonëse pak e njohur për publikun e gjerë, kjo “kupë” alternative e ka fillesën që nga ndeshja e parë ndërkombëtare e futbollit, Skoci-Angli (1872), dhe funksionon me rregullin e thjeshtë të kampionit në boks: kush fiton ndaj kampionit aktual, merr titullin.

Ai vazhdon të kalojë nga një ekip në tjetrin në çdo përballje ndërkombëtare, pa ndalur kurrë, duke ndjekur një linjë të vetme historike.

Fitorja e Kosovës ndaj Suedisë ishte pikërisht ndeshja e 1036-të në këtë “zinxhir”, dhe e bëri përfaqësuesen “Dardane” mbajtësen aktuale të titullit jozyrtar të kampionit të botës në futboll. Suedia e kishte fituar më herët këtë titull duke mposhtur Algjerinë në një miqësore – ndërkohë që më herët ai kishte kaluar përmes disa skuadrave afrikane dhe latino-amerikane, përfshirë Uruguain.

Në këtë mënyrë, Kosova bëhet pjesë e një rrethi të ngushtë kombëtaresh që kanë mbajtur këtë titull simbolik, dhe do të ketë mundësinë ta mbrojë atë në ndeshjet e ardhshme.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë tri herë në pozita për të fituar këtë titull, por pa mundur ta rrëmbejë ndonjëherë. Në vitin 1990 humbi ndaj Greqisë, ndërsa në vitin 1997 dy përballjet me Gjermaninë nuk sollën sukses.

Edhe pse nuk ka vlerë zyrtare nga FIFA, “Unofficial Football World Championship” (UFWC) është një kuriozitet i dashur për historianët e futbollit dhe ndjekësit e statistikave, duke ofruar një narrativë ndryshe nga kampionatet e zakonshme.

Top Channel