Hapet shkolla “Benardina Qerraxhia” në Durrës/ Manastirliu: Institucion me standarde europiane, një model kombëtar për shkollat sportive

09/09/2025 15:34

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vizituan sot shkollën “Benardina Qerraxhia”, e kthyer tashmë në një kompleks edukativ falë një investimi madhor të Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, në kuadër të programit EU4Schools, të zbatuar nga UNDP dhe Bashkia Durrës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se ky institucion, me traditë 55-vjeçare në përgatitjen e sportistëve elitarë, sot ofron kushte dhe standarde bashkëkohore, duke u kthyer në një model për zhvillimin e shkollave me orientim sportiv në të gjithë vendin.

Jemi të kënaqur që tashmë viti shkollor ka nisur me shkolla të reja, me shkolla të rehabilituara, por edhe me një punë të madhe nga të gjitha bashkitë e vendit për të gjithë mirëmbajtjen e rrjetit të shkollave tona. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe programit të Bashkimit Europian për shkollat, shohim të finalizuar edhe një vepër madhore sikurse është kompleksi edukativ “Benardina Qerraxhia”, një shkollë me orientim sportiv që për 55 vite ka mundësuar që në këtë shkollë të përgatiten sportistë elitarë, dhe sot është një shkollë e cila ofron standarde dhe kushte europiane për zhvillimin dhe shpalosjen e potencialit të nxënësve të saj. Patjetër që, duke qenë një kompleks i tillë edukativ sportiv, për ne është një mundësi më shumë jo vetëm për t’u dhënë nxënësve tanë mundësi për të zhvilluar prirjet e tyre në drejtimin sportiv, por nga ana tjetër edhe për të zhvilluar shkolla të ngjashme edhe në bashki të tjera të vendit”, tha Manastirliu.

Kompleksi edukativ “Benardina Qerraxhia” është rikonstruktuar dhe zgjeruar me klasa mësimi, laboratorë, bibliotekë, dhomë shërbimi shëndetësor dhe terrene sportive tërësisht të reja, përfshirë 4 palestra moderne për basketboll, volejboll, gjimnastikë dhe forcë, të konceptuara për aktivitete kombëtare e rajonale. Në proces është edhe ndërtimi i fushës stërvitore të futbollit, pistës atletike, këndit të hedhjes dhe gropës së kërcimit. Pjesë e projektit është dhe konvikti me kapacitet 150 nxënës.

Shkolla “Benardina Qerraxhia” është gjithashtu pjesë e projektit “Elite Youth Player Development Academy” të FSHF-së, që synon zhvillimin e talenteve të rinj përmes programeve stërvitore të standardeve ndërkombëtare. Nxënësit pjesë e projektit do të regjistrohen në shkollë dhe do të përfitojnë akomodim në konvikt. Për herë të parë, Ministria e Arsimit ka zgjeruar dhe ciklin e edukimit sportiv në këtë shkollë, duke filluar nga klasa e VI deri në klasën e IX, krahas gjimnazit ekzistues. Kjo synon të identifikojë dhe të përgatisë talentet që në moshë të hershme.

“Ne, për herë të parë si Ministri e Arsimit, e kemi zgjeruar ciklin e edukimit sportiv duke filluar nga klasa e VI në klasën e IX, përveçse gjimnazit që ishte në këtë shkollë. Kemi vlerësuar që, duke filluar që herët, pra që në klasën e VI, ne mund të përgatisim edhe më mirë sportistët e të ardhmes, por nga ana tjetër edhe të motivojmë edhe më shumë nxënësit për të ardhur dhe për të qenë pjesë e shkollave sportive, shkollave artistike gjithashtu, dhe sigurisht në të ardhmen jemi duke punuar për të pasur shkolla të cilat të kenë edhe orientim shkencor dhe inovator, sikurse jemi duke punuar për Liceun Franko-Shqiptar për Shkencën dhe Inovacionin në Korçë”.

Në të gjithë vendin, janë hapur këtë vit 30 shkolla të reja ose të rehabilituara, ndërsa 40 të tjera janë aktualisht në proces ndërtimi apo rikonstruksioni, tha Ministrja Manastirliu, duke shtuar se investimet në infrastrukturë shoqërohen me rritjen e standardeve të mësimdhënies dhe trajnimin e mësuesve.

Viti shkollor në Kompleksin Edukativ “Benardina Qerraxhia” ka filluar me 226 nxënës në disiplinat sportive futboll, volejboll, basketboll, atletikë dhe peshëngritje dhe risi e këtij viti shkollor është edhe hapja e ciklit arsimor 9-vjeçar, nga klasa e VI-IX, krahas atij të mesëm.

Top Channel