
Erin Patterson, 50-vjeçarja nga Australia që helmoi me qëllim tre anëtarë të familjes së ish-bashkëshortit të saj me kërpudha vdekjeprurëse gjatë një dreke në shtëpinë e saj, është dënuar me tre burgime të përjetshme dhe 33 vite pa të drejtë lirimi me kusht.
Ngjarja tronditëse ndodhi në korrik të vitit 2023 në qytetin e vogël Leongatha dhe ka tërhequr vëmendjen mbarëkombëtare e ndërkombëtare, duke u bërë temë e podcasteve dhe dokumentarëve të shumtë.
Viktimat ishin prindërit e Simon Patterson (ish-bashkëshortit të saj), Don dhe Gail Patterson, si dhe tezja e tij, Heather Wilkinson. Ata ndërruan jetë disa ditë pas konsumimit të një vakti që ishte përgatitur me kërpudha “death cap”, ndër më helmuese në botë. I vetmi që mbijetoi ishte bashkëshorti i Heather, pastori Ian Wilkinson, i cili kaloi javë të tëra në gjendje kritike.
Gjatë gjykimit 10-javor, doli se Erin kishte vepruar me paramendim, duke mbledhur kërpudhat pranë shtëpisë së saj, i kishte tharë me një pajisje që më pas e hodhi në qendër riciklimi, dhe kishte gënjyer për origjinën e tyre, duke pretenduar se i kishte blerë në supermarket. Ajo gjithashtu kishte mashtruar autoritetet duke thënë se kishte ngrënë të njëjtin ushqim me fëmijët e saj, gjë që rezultoi e rreme.
Gjyqtari Christopher Beale deklaroi se krimet e saj përfaqësonin një “tradhti të jashtëzakonshme ndaj besimit” dhe theksoi se ajo kishte ndërtuar një “skenar të ndërlikuar për të fshehur të vërtetën”, pasi kuptoi se gënjeshtrat e para nuk po funksiononin. Sipas gjykatës, Erin kishte planifikuar drekën në mënyrë të pazakontë duke përjashtuar fëmijët, me qëllim që të realizonte vrasjen e katërfishtë. Ish-bashkëshorti i saj, Simon, nuk mori pjesë pasi kishte hezitime dhe dyshime ndaj qëllimeve të saj.
Prokuroria nuk paraqiti një motiv të qartë, por theksoi se Patterson kishte shfaqur dy fytyra – një imazh të sjellshëm në publik dhe një qëndrueshmëri të fshehtë armiqësie ndaj familjes së burrit në mesazhe private në Facebook, ku shprehej me urrejtje për ta. Në një prej mesazheve, ajo shkruante: “Jam lodhur nga kjo. S’dua të kem më asgjë me ta.”
Në seancën e dënimit, pastori Ian Wilkinson, i mbijetuari i vetëm, falënderoi autoritetet dhe komunitetin për mbështetjen, dhe ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Patterson, më herët kishte deklaruar: “Unë nuk jam më viktima e Erin Patterson. Ajo është bërë viktima e mirësisë sime.”
Patterson ka afat deri më 6 tetor për të apeluar vendimin, por për momentin do të vuajë një dënim të gjatë dhe të rëndë.
Top Channel