
Në një ceremoni solemne të kryesuar nga Papa Leoni në Vatikan, Carlo Acutis, një djalë i lindur në Londër dhe i njohur si “ndikuesi i Zotit”, u shpall shenjti i parë i mijëvjeçarit.
I njohur për dashurinë e tij ndaj teknologjisë dhe besimit, Carlo vdiq nga leuçemia në moshën 15-vjeçare, por fama e tij si një adoleshent i devotshëm dhe digjital e çoi drejt altarit të shenjtërisë.
Shenjtërimi i Carlo Acutis, i cili ishte planifikuar për më 27 prill, u shty për shkak të vdekjes së Papa Françeskut. Ceremonia u zhvillua këtë të diel nga pasardhësi i tij, Papa Leoni, përpara mijëra besimtarëve në Vatikan dhe më shumë se një milion pelegrinësh që kishin vizituar qytetin e Asizit, ku ndodhet trupi i Karlos i ruajtur në dyll.
I lindur në Londër në vitin 1991 dhe i pagëzuar në Kishën e Zojës së Dëshpërimit në Chelsea, Carlo jetoi pjesën më të madhe të jetës në Milano, Itali. Ai u bë i njohur për krijimin e faqeve të internetit që dokumentonin mrekulli të njohura nga Kisha Katolike, duke e kthyer pasionin për teknologjinë në një mjet për të përhapur fenë.
Procesi i shenjtërimit të tij u përshpejtua nga Vatikani, me qëllim për të frymëzuar brezin e ri të katolikëve. Papa Françesku kishte njohur dy “mrekulli” që i atribuoheshin Carlos, përfshirë shërimin e një gruaje me kancer ditën e funeralit të tij. Nëna e tij, Antonia Salzano, ka udhëtuar në mbarë botën për të avokuar për shenjtërimin e djalit të saj.
Në Chelsea, aty ku ai u pagëzua, një kabinë e vjetër rrëfimi është kthyer në vend pelegrinazhi dhe përmban një fije flokësh të Carlo Acutis. Vizitorë të rinj, si Diego Sarkissian nga Londra, shprehin entuziazmin e tyre që një shenjtor i ri mund të ketë luajtur videolojëra dhe të ketë veshur xhinse si çdo adoleshent tjetër.
Carlo Acutis përfaqëson një figurë të re shenjtërie – moderne, e afërt dhe digjitale – dhe Kisha Katolike shpreson që ai të shërbejë si frymëzim për të rinjtë në një kohë të sfidave të shumta shpirtërore.
Top Channel