
Një burrë 51-vjeçar u arrestua nga policia çeke pasi u kap duke drejtuar një makinë garash të tipit GP2 në një autostradë pranë Pragës, ngjarje që kishte tronditur autoritetet që nga viti 2019.
Policia e Republikës Çeke e identifikoi dhe ndaloi të dyshuarin pas një incidenti të fundit, kur makina e kuqe – e ngjashme me një Ferrari Formula 1, u filmua duke ngarë me shpejtësi në autostradën D4 dhe duke ndaluar për karburant.
Makina u gjurmua deri në një pronë private në fshatin Buk, rreth 60 km nga kryeqyteti, ku policia ndërhyri me dhjetëra makina dhe një helikopter.
Shoferi refuzoi për një kohë të dilte nga automjeti dhe debatoi me policët për hyrjen në pronën e tij. Më pas, ai u dorëzua veshur ende me uniformën dhe helmetën e kuqe të pilotit të garave, dhe u shoqërua në stacionin e policisë, ku refuzoi të jepte ndonjë deklaratë.
Ky incident i fundit shënon përfundimin e një hetimi që zgjaste prej më shumë se 4 vitesh. Që nga viti 2019, makina ishte parë disa herë duke lëvizur në autostrada, por për shkak të helmetës së shoferit, autoritetet nuk kishin mundur ta identifikonin.
Në atë kohë, policia kishte arritur të lokalizonte automjetin dhe të merrte në pyetje pronarin, i cili mohoi ta kishte drejtuar ndonjëherë në rrugë publike. Nuk është ende e qartë nëse i njëjti person është arrestuar tani.
Top Channel