Pelegrinazhi i parë historik për katolikët LGBTQ+ në Vatikan/ Hapet “Porta e Shenjtë” për komunitetin

07/09/2025 08:42

Për herë të parë në histori, rreth 1,400 katolikë LGBTQ+ nga 20 vende të ndryshme kanë marrë pjesë në një pelegrinazh zyrtar të njohur nga Vatikani, në kuadër të Vitit Jubilar të Kishës Katolike

Të veshur me ngjyra ylberi dhe duke mbajtur kryqe, pelegrinët morën pjesë në vigjile lutjesh, meshë dhe aktivitete shpirtërore këtë fundjavë në Romë.

Në një nga momentet më domethënëse të pelegrinazhit, anëtarët e komunitetit LGBTQ+ kaluan përmes Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, një simbol i fuqishëm i pajtimit dhe mëshirës, që hapet vetëm një herë në 25 vjet, gjatë viteve jubilarë.

“Jo vetëm që personat LGBTQ po ecin për të treguar se janë pjesë e Kishës, por vetë institucionet zyrtare të Kishës po i mirëpresin dhe po ndihmojnë që historia e tyre të dëgjohet,” – tha Francis DeBernardo, drejtor i organizatës New Ways Ministry, për National Catholic Reporter.

Kjo organizatë amerikane punon për të përfaqësuar dhe mbështetur komunitetin LGBTQ+ brenda Kishës Katolike.

Papa i mëparshëm, Françesku, i cili ndërroi jetë në prill, nuk ndryshoi doktrinën e Kishës për personat LGBTQ+, por në vitin 2023 bëri një hap të rëndësishëm: lejoj që priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks, një veprim që u prit me zemërim nga qarqet konservatore, veçanërisht në Afrikë.

Në vitin 2020, Papa Françesku ishte shprehur se “personat homoseksualë kanë të drejtë të jenë pjesë e një familjeje… Janë fëmijë të Zotit dhe askush nuk duhet t’i përjashtojë apo t’i bëjë të vuajnë.”

Megjithatë, Vatikani ka mbajtur vijën zyrtare duke sqaruar se këto bekime nuk duhet të jenë pjesë e ritualeve të zakonshme të Kishës dhe nuk lidhen me martesa civile apo fetare, pasi martesa mbetet e njohur vetëm mes një burri dhe një gruaje.

Papa i ri, Leoni XIV, i zgjedhur në maj, nuk ka dhënë ende një deklaratë publike për komunitetin LGBTQ+ dhe gjithashtu nuk ka komentuar mbi dekretin e pararendësit të tij.

Viti Jubilar 2025 pritet të sjellë mbi 32 milionë pelegrinë në Vatikan, ndërsa ky pelegrinazh shënon një kthesë historike në marrëdhënien mes Kishës Katolike dhe komunitetit LGBTQ+.

Top Channel