
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, ka paralajmëruar për një botë me 25 shtete me armë bërthamore.
“Pa dashur të përhap panik, rreziku i një konflikti bërthamor është më i madh sot sesa në të kaluarën”, tha ai në një intervistë. Ai ka sugjeruar se në një pikë 20 deri në 25 shtete do të mund të kenë armë bërthamore, pa përmendur afate kohore. Aktualisht, janë nëntë shtete në botë me armë bërthamore, sipas ekspertëve.
“Procesi i çarmatimit apo zvogëlimi i kontrolluar i arsenalit bërthamor është bllokuar. Ato shtete që posedojmë armë bërthamore janë duke prodhuar më shumë, përfshirë Kinën”, deklaroi shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara.
Grossi ka parë si shtetësues edhe synimin e shumë shteteve për blerjen e armëve bërthamore.
“Si drejtor i agjencisë, nuk mund t’i përmend me emra. Këto janë shtete të rëndësishme në Azi dhe Gjirin Persik. Një botë me 20-25 shtete të pajisura me armë bërthamore është diçka e paparashikueshme dhe e rrezikshme”, shtoi ai.
Në mesin e nëntë shteteve me armë bërthamore, pesë janë vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina.
Tjerat shtete janë India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli, sipas një raporti të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, si dhe gjetjeve prej Fushatës Ndërkombëtare për Braktisje të Armëve Bërthamore.
Së bashku, këto vende besohet se kanë 12.000 armë bërthamore, ku rreth 10.700 prej tyre i kanë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Top Channel