
Aktivistja legjendare argjentinase, Rosa Roisinblit, ka ndërruar jetë në moshën 106-vjeçare.
E njohur si një nga figurat më të spikatura të grupit “Gjyshet e Plaza de Mayo”, ajo kaloi dekada të tëra duke kërkuar drejtësi për të bijën dhe nipin e rrëmbyer gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë (1976–1983).
Organizata e saj konfirmoi ndarjen nga jeta të Roisinblit, duke e përkujtuar me fjalët: “Kemi vetëm mirënjohje për përkushtimin e saj dhe dashurinë me të cilën kërkoi të vërtetën deri në fund.”
Në vitin 1978, vajza shtatzënë e Rosës, Patricia Roisinblit, bashkëshorti i saj José Pérez Rojo dhe vajza e tyre 15-muajshe, Mariana, u rrëmbyen nga regjimi ushtarak.
Patricia u mbajt gjallë sa të lindte një djalë në një bodrum të një qendre të ndalimit të paligjshëm. Më pas, ajo dhe bashkëshorti u zhdukën pa lënë gjurmë. Fëmija i porsalindur iu dha një oficeri të inteligjencës për ta rritur.
Mbesa Mariana iu kthye gjyshes, e cila e rriti vetë, ndërsa nipi – Guillermo – u gjet vetëm në vitin 2000, pas testimeve të ADN-së dhe punës së palodhur të “Gjysheve të Plaza de Mayo”.
Në vitin 2016, në moshën 96-vjeçare, Roisinblit ishte e pranishme në sallën e gjyqit kur rrëmbyesi i nipit të saj, Francisco Gómez, u dënua me burgim të përjetshëm. Po atë vit, ish-shefi i Forcave Ajrore Omar Graffigna dhe oficeri i inteligjencës Luis Trillo u dënuan me 25 vite burg për rrëmbim dhe torturë.
Rosa Roisinblit ishte jo vetëm një figurë simbolike për kërkimin e drejtësisë, por edhe një pjesë thelbësore e organizatës “Gjyshet e Plaza de Mayo”, duke shërbyer si nënkryetare për më shumë se tri dekada. Ajo qëndroi aktive deri në fundin e jetës së saj, duke marrë pjesë në gjyqe dhe fushata publike për zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e identitetit biologjik për fëmijët e rrëmbyer.
Top Channel