
Një sërfist humbi jetën tragjikisht pasi u sulmua nga një peshkaqen në ujërat e Sydney-t.
57-vjeçari Mercury Psilakis ishte emigrant grek dhe sërfist me përvojë, sipas mediave greke.
Ai pësoi lëndime të rënda nga sulmi në plazhin Dee Why pak pas orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës me orën lokale, ndërsa po bënte sërf me miqtë rreth 100 metra larg bregut. Ai u nxor në breg nga miqtë, por humbi një sasi të madhe gjaku dhe nuk mundi të mbijetojë.
Dy pjesë të dërrasës së tij të sërfit janë dërguar për ekzaminim, njoftoi policia.
Deri më tani, nuk është përcaktuar se cila specie peshkaqeni kreu sulmin, që i detyroi autoritetet të mbyllin disa plazhe sot.
Ky është sulmi i parë fatal nga një peshkaqen në qytetin më të populluar të Australisë që nga vdekja e një instruktori 35-vjeçar britanik të zhytjes në shkurt të vitit 2022 në Little Bay. Sulmi i mëparshëm vdekjeprurës nga një peshkaqen në Sydney u regjistrua në vitin 1963.
Top Channel