Sllovakia “tradhton” Putinin? Fico: Mbështesim fuqishëm rrugën e Ukrainës në BE

06/09/2025 15:29

Volodimir Zelensky njoftoi pas takimit me kryeministrin sllovak, Robert Fico, se Sllovakia tashmë mbështet anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian.

Edhe pse nënvizoi se vendi i tij nuk mund të ofrojë garanci sigurie, Fico i njohur si aleat i Vladimir Putinit, tha se i përkrah me forcë iniciativa të ndryshme dhe formulën e paqes të presidentit ukrainas.

Ai gjithashtu shprehu dëshirën që marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen dhe të mbeten miqësore.

Marrëdhëniet midis Sllovakisë dhe Ukrainës konsiderohen nga Fico si një shembull i bashkëpunimit të frytshëm mes vendeve me pikëpamje politike të ndryshme, duke treguar se ndryshimet nuk pengojnë dialogun dhe bashkëpunimin efektiv.

Ky është një lajm i mirë për Ukrainën, e cila po kërkon fuqimisht mbështetje në rrugën e saj drejt integrimit europian. Sllovakia dhe Hungaria ishin dy vendet që kanë kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO.

Ndryshimi i qëndrimit të Ficos vjen vetëm pak ditë pasi Putini deklaroi publikisht se Moska nuk e kundërshton anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Europian.

“Sa i përket NATO-s, kjo është çështje tjetër… Kundërshtimi ynë për këtë çështje është i njohur: ne e konsiderojmë një gjë të tillë të papranueshme”, që shprehur Putin pikërisht gjatë një takimi që pati me Ficon në Kinë.

Top Channel