
Në një moment të vështirë të vitit të 7 të qeverisjes, kur popullariteti i konservatorëve vazhdon të bjerë kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe banesave, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shpallur nga Panairi i 89-të Ndërkombëtar i Selanikut, një paketë masash me vlerë 1.6 mld euro që ai i quajti reformat më të guximshme të viteve të fundit, të cilat prekin më shumë se 4 milionë grekë.
Në fjalën e tij, ai theksoi se Greqia ka kaluar nga kriza në stabilitet, duke ulur papunësinë, rritur investimet dhe turizmin, dhe duke rikthyer besimin ndërkombëtar.
Mitsotakis tha se prioriteti mbetet mbështetja e të ardhurave të qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës, por pa kompromentuar stabilitetin fiskal.
Ndër masat kryesore janë ulja e normave tatimore me 2 pikë për të gjithë dhe ulje shtesë për familjet me fëmijë, si dhe tatim zero për të rinjtë deri në 25 vjeç me të ardhura deri në 20 mijë euro.
Deri në moshën 30 vjeç, tatimi ulet nga 22% në vetëm 9%. Përfitimi për të gjitha këto katigori do të jetë nga 400 deri në 4100 euro në vit.
Në një prej aspekteve të luftës ndaj rritjes së çmimeve të banesave ai tha se qeveria greke planifikon ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në ish-repartet ushtarake për qytetarët pa banesë, si dhe normë më të ulët 25% për qiratë nga 12.000- 24000 mijë euro.
Në fshatrat me më pak se 1.500 banorë, taksa mbi banesën e parë, ENFIA, do të përgjysmohet në vitin 2026 dhe do të hiqet plotësisht një vit më pas, ndërsa në ishujt e vegjël kufitarë do të ketë ulje të TVSH-së me 30%.
Një tjetër masë është rritja e pagave për mbi 151.000 pjesëtarë të forcave të armatosura, policisë, zjarrfikësve, rojes bregdetare si dhe diplomatëve. Për pensionistët, diferenca personale do të përgjysmohet në vitin 2026 dhe do të hiqet plotësisht në 2027, duke sjellë përfitime për qindra mijëra qytetarë.
Mitsotakis theksoi se Greqia nuk do të bëjë kurrë kompromis me sigurinë kombëtare dhe rolin e saj në Europë, ndërsa paralajmëroi katër reforma afatgjata deri në vitin 2030: një diplomë të re kombëtare për arsimin, një sistem shëndetësor publik të përmirësuar, modernizimin e urbanistikës dhe kadastrës, si dhe një hartë të re energjetike kombëtare.
“Unë nuk jap premtime boshe dhe as para që nuk ekzistojnë. Jap vetëm plane konkrete për zhvillim, me synimin që në vitin 2027 vendi të hapë një kapitull të ri, edhe më të suksesshëm”, u shpreh ai.
Ndërkohë pasditen e së shtunës janë zhvilluar mitingje proteste antiqeveritare në Selanik nga gjithë sindikatat e vendit, ndërsa në qytetet e tjera dhe në Athinë ka pasur protesta për tragjedinë e trenave dy vjet më parë, ku humbën jetn 57 persona.
Top Channel