
Qindra protestues u mblodhën në Sheshin e Parlamentit në Londër të shtunën për të kundërshtuar vendimin e qeverisë britanike për të ndaluar grupin aktivist Palestine Action, i cili u shpall organizatë terroriste në korrik.
Protesta përfundoi me rreth 150 arrestime, përfshirë akuza për mbështetje të një organizate të ndaluar dhe përleshje me policinë. Sipas Shërbimit të Policisë Metropolitane, në demonstratë morën pjesë rreth 1,000 deri në 1,400 persona. Protestuesit u përleshën me policinë gjatë ndërhyrjes për arrestime, ndërsa video të verifikuara treguan oficerë duke përdorur forcë fizike dhe shkopinj ndaj demonstruesve.
Organizatorët e protestës akuzuan policinë për përdorim të dhunës dhe përpjekje për ta paraqitur si faj të protestuesve. Shfaqja publike e mbështetjes për Palestine Action pas ndalimit të saj ka nxitur një debat të gjerë për kufijtë e protestës dhe liritë civile në Britani.
Kush është Palestine Action dhe pse u ndalua?
Palestine Action është një grup aktivistësh në Mbretërinë e Bashkuar që synon të ndërpresë aktivitetin e prodhuesve të armëve që furnizojnë ushtrinë izraelite. Grupi është i njohur për veprime të drejtpërdrejta si vandalizimi i pronave të Elbit Systems, Leonardo dhe ndërhyrje në baza ushtarake.
Në fund të qershorit 2025, një ndërhyrje në bazinë ajrore RAF Brize Norton – ku u vandalizuan dy avionë ushtarakë – çoi në vendimin e qeverisë për ta shpallur grupin si terrorist. Sipas Sekretares së Brendshme britanike, grupi ka kaluar kufirin nga protestë në sabotim të qëllimshëm, duke rrezikuar sigurinë kombëtare.
Ndalimi është dënuar gjerësisht nga OKB, Amnesty International, organizata të të drejtave të njeriut dhe aktivistë për liritë civile, të cilët paralajmërojnë se përdorimi i ligjeve të terrorizmit ndaj protestuesve paqësorë krijon precedent të rrezikshëm për të drejtën e protestës në Britani.
Palestine Action është grupi i parë i veprimit të drejtpërdrejtë në Mbretërinë e Bashkuar që klasifikohet si organizatë . Ky veprim ka ndodhur në një periudhë kur tensionet globale për shkak të luftës në Gaza kanë nxitur rritje të ndjeshmërisë publike dhe politike për çështjen palestineze në Britani.
Top Channel