Riemërtimi i Pentagonit në “Departamentin e Luftës”, Trump pritet të nënshkruajë sot urdhrin ekzekutiv

05/09/2025 07:30

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po urdhëron që Departamenti i Mbrojtjes të njihet si Departamenti i Luftës.

Ai do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv sot që departamenti i mbrojtjes ta përdorë emrin e ri si titull dytësor dhe që Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth të njihet si Sekretar i Luftës.

Pentagoni, i cili mbikëqyr shërbimet e armatosura të SHBA-së, është pasardhësi i Departamentit të Luftës, i cili u krijua për herë të parë si një agjenci në vitin 1789 dhe ekzistoi deri në vitin 1947.

Përgjegjësia për krijimin e departamenteve ekzekutive i takon Kongresit të SHBA-së, që do të thotë se do të kërkohet një amendament për të ndryshuar ligjërisht emrin e departamentit.

BBC ka parë tekstin e urdhrit ekzekutiv, i cili thotë: “Emri ‘Departamenti i Luftës’ përcjell një mesazh më të fortë gatishmërie dhe vendosmërie krahasuar me ‘Departamentin e Mbrojtjes’, i cili thekson vetëm aftësitë mbrojtëse.”

Në një përpjekje për të “projektuar forcë dhe vendosmëri”, urdhri autorizon sekretarin e mbrojtjes, departamentin e tij dhe zyrtarët vartës që të përdorin titujt e rinj si emra dytësorë.

Departamenti i Luftës u themelua nga George Washington, por u riemërua pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas urdhrit ekzekutiv, rivendosja e emrit të tij “do ta theksojë fokusin e këtij Departamenti në interesin tonë kombëtar dhe do t’u sinjalizojë kundërshtarëve gatishmërinë e Amerikës për të zhvilluar luftë për të siguruar interesat e saj”.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka thënë se sa do të kushtojë një riorganizim i përhershëm i logos, por mediat amerikane flasin një çmim prej një miliard dollarësh për riorganizimin e qindra agjencive, emblemave, adresave të email-it, uniformave dhe më shumë, duke penguar ndoshta përpjekjet e Pentagonit për të ulur shpenzimet dhe shpërdorimin e parave.

Trump e ka përmendur vazhdimisht idenë e ndryshimit të emrit, duke argumentuar se SHBA-të kishin “një histori të pabesueshme fitoresh” në të dy luftërat botërore nën emrin e mëparshëm.

Ai gjithashtu ka shprehur optimizëm se ligjvënësit do ta mbështesin një ndryshim të tillë.

Jam i sigurt që Kongresi do të pajtohet nëse kemi nevojë për këtë. As nuk mendoj se kemi nevojë për këtë“, tha presidenti javën e kaluar. “Por, nëse kemi nevojë për këtë, jam i sigurt që Kongresi do të pajtohet”, shtoi ai.

Riemërtimi shënon urdhrin e 200-të ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti që kur ai mori detyrën.

Top Channel