OKB po shqyrton planin e rindërtimit të Gazës/ Qeveri teknokratike, çarmatimi i Hamasit dhe refuzimi i dëbimit masiv të palestinezëve

05/09/2025 17:58

Një plan i mundshëm për rindërtimin e Gazës, i mbështetur nga OKB-ja dhe duke përfshirë një qeveri teknokratike njëvjeçare, forcë ndërkombëtare stabilizimi, çarmatimin e Hamasit dhe refuzimin e dëbimit masiv të palestinezëve, po diskutohet me Shtetet e Bashkuara për të shmangur një debat të ashpër në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi njohjen simbolike të Palestinës si shtet.

Shumë shpejt pritet që Britania, së bashku me Francën, Kanadanë, Belgjikën dhe Maltën, të njohin shtetin e Palestinës gjatë një konference të OKB-së më 22 shtator, që do të mbahet paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme, në javën kur liderët botërorë do të mbajnë fjalime të rëndësishme, shkruan Guardian.

Britania kishte sugjeruar më parë se mund të mos e njihte Palestinën nëse Izraeli dhe Hamasi do të arrinin një armëpushim, por qeveria izraelite ka refuzuar kategorikisht çdo armëpushim dhe ka njoftuar planet për të kapur qytetin e Gazës.

Sekretari britanik i jashtëm, David Lammy, gjatë një vizite në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, tha se fokusi është transformimi i çdo armëpushimi në një paqe të qëndrueshme, përmes mekanizmave monitorimi, çarmatimit të Hamasit dhe një kornize të re qeverisjeje për Gazën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka prezantuar një vizion të plotë për Gazën pas luftës, por ka folur gjithnjë e më shumë për një prani të përhershme izraelite në Gaza dhe për aneksimin e Bregut Perëndimor. Planet për rindërtimin e Gazës me mbështetje të OKB-së po diskutohet edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili ka paralajmëruar se kërcënimi izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor është një reagim i parashikueshëm ndaj njohjes evropiane të Palestinës.

Pritet që Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të vizitojë Londrën para konferencës së OKB-së. SHBA-ja ka njoftuar se nuk do të japë viza për Abbas dhe delegacionin palestinez, një vendim që po kundërshtohet nga vendet evropiane, të cilat argumentojnë se një PA e reformuar është e domosdoshme për armëpushimin dhe qeverisjen e ardhshme të Palestinës.

Dy çështjet më kontraverse mbeten çarmatimi i Hamasit dhe mundësia që kandidatët me lidhje të mëparshme me Hamasin ose terrorizmin të marrin pjesë në zgjedhjet për presidencën dhe parlamentin palestinez.

Dr. Husam Zomlot, përfaqësuesi i Palestinës në Britani, deklaroi se Autoriteti Palestinez synon të mbajë zgjedhje në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor, brenda një viti nga armëpushimi. Në këtë periudhë, një qeveri teknokratike do të udhëheqë Palestinën.

Top Channel