Njësoj si me Bin Laden? Operacion sekret i Trump në Korenë e Veriut, raporti tronditës i NYT zbulon misionin e dështuar që përfundoi me vrasjen e civilëve

05/09/2025 22:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, miratoi një operacion sekret të forcave speciale amerikane në Korenë e Veriut gjatë bisedimeve bërthamore të vitit 2019, një mision i dështuar që dyshohet se përfundoi me vrasjen e disa peshkatarëve koreanoveriorë.

Lajmi u raportua nga New York Times, bazuar në dëshmi të dhëna nga ish-zyrtarë dhe persona me dijeni për operacionin.

Sipas raportit, në mision u përfshi njësia elitare SEAL Team 6, e njëjta që vrau Osama bin Ladenin. Komandot amerikane kishin për qëllim të vendosnin një pajisje përgjimi brenda territorit të Koresë së Veriut, por gjatë operacionit ata u ndeshën me një varkë lokale dhe hapën zjarr, duke vrarë deri në tre persona, të cilët më vonë rezultuan të ishin civilë që po kërkonin butak.

Operacioni, i kryer me ndihmën e një nëndetëseje bërthamore dhe dy mini-nëndetëseve të fshehta, u konsiderua nga disa si një “skenar filmi James Bond”. Por pas incidentit, komandot e SEAL u tërhoqën pa arritur të vendosin pajisjen e përgjimit. Trupat e civilëve, sipas burimeve, u fundosën për të mos u zbuluar kurrë.

New York Times shkruan se misioni nuk u pranua publikisht as nga SHBA-ja dhe as nga Koreja e Veriut, ndërsa anëtarët kryesorë të Kongresit nuk ishin të informuar. Disa zyrtarë të ish-administratës Trump u shprehën të shqetësuar se “dështimet e operacioneve speciale shpesh mbulohen nga sekreti qeveritar”.

Burime të njohura me misionin thanë se, sipas rregullave të angazhimit, ushtarët e SEAL vepruan në përputhje me protokollet, ndërsa dështimi u lidh me “një sërë ngjarjesh të pafat”.

Ky nuk ishte operacioni i parë i tillë: një mision i ngjashëm i fshehtë në Korenë e Veriut raportohet se u krye në vitin 2005, gjatë presidencës së George W. Bush.

Samiti bërthamor i Trump dhe Kim Jong-un në Hanoi, në shkurt 2019, përfundoi pa marrëveshje, ndërsa pak më vonë Pheniani rifilloi testet me raketa bërthamore.

Top Channel