
I braktisur nga familja pasi lindi me nanizëm, Ardit Mancaku ishte vetëm 12 vjeç kur në jetimoren e Shkodrës pa për herë të parë Nënë Terezën dhe i kërkoi ndihmë, donte të ecte dhe të luante si shokët e tij.
“I thashë Nënë Terezës, a mund të më falësh një dy mijë lekësh të blej një palë këmbë të reja se dua të eci si gjithë të tjerët. Nënë Tereza më tha nuk ke nevojë për lekë se do të të çoj vetë në Itali”, tregoi Ardit Mancaku për Top Channel.
Me dëshirën për të ndihmuar çdo fëmijë në nevojë, shenjtorja dërgoi Arditin në një spital në Itali, kur për 2 vite iu nënshtrua 18 operacioneve.
“Erdhi Nënë Tereza në spital, më pa duke ecur, i thashë faleminderit që më bëre të eci me këmbët e mia. Më ke dhënë një jetë të dytë, është mrekulli për mua. Të mos ishte Nënë Tereza, do isha tërë jetën në karrocë”, tha ai.
Historinë e tij, Arditi e ndau me të pranishmit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në një aktivitet në 9-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ku u shfaq edhe një ekspozitë mbi veprimtarinë fetare dhe mirëbërëse të “ambasadores së paqes”.
Dokumentet tregojnë këmbënguljen e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut për të ardhur në Shqipëri, kërkesë që u refuzua disa herë nga presidenti Ramiz Alia, teksa del një shkresë e shkrimtarit Ismail Kadare.
“Një material shumë interesant ka të bëjë me një informacion që Ismail Kadare i ka dërguar Komitetit Qendror në kohën kur ka qenë për një vizitë te arbëreshët e Italisë dhe në kontakte me personalitete, i thonë që Nënë Tereza ka një qëllim humanitar kundrejt Shqipërisë dhe Kadare ia përcjell këtë informacion autoriteteve dhe mund të themi që është pika e parë që thyen akullin”, tregoi Përgjegjësi i Sallës së Studimit në Arkivën e Shtetit, Myrteza Shara.
“Këto dokumente janë shumë të rëndësishme sepse pasqyrojnë përpjekjet e Nënë Terezës, dëshirën e saj për të ardhur në Shqipëri dhe qëllimet e regjimit të asaj kohe për të mos e lejuar të vijë“, theksoi Drejtori në detyrë i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Endrit Musaj.
Nënë Tereza ia doli të prekë tokën shqiptare në vitin 1989. Pas vizitës, në një letër me fragmente shqip mes të tjerash shkruan: “Ia kam dhënë besën e shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paqe mbi gjithë botën“.
Për veprat e mira që bëri u shenjtërua edhe nga Papa Françesku më 5 shtator 2016
Me veprat e saj që i shndërroi në një mision global, Anjezë Gonxhe Bonjaxhiu fitoi dashurinë e gjithë botës. Gruaja që lindi nga një komb i vogël, por me shpirt të madh, që u bë nënë për njerëzimin u shenjtërua edhe nga Papa Françesku më 5 shtator 2016.
Top Channel