Detaje të reja nga vdekja e çiftit të të moshuarve në Athinë/ Dyshohet se burri vrau gruan dhe më pas veten, të dy kishin plagë zjarri në trup

05/09/2025 11:24

Vijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi lagjen Neos Kosmos në Athinë, ku një çift i moshuar u gjet i pajetë në gjendje dekompozimi brenda apartamentit të tyre, pasditen e së enjtes, më 4 shtator 2025.

Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet, pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje nga ana e burrit ndaj bashkëshortes së tij, e ndjekur më pas nga vetëvrasja, sipas medias së huaj.

Megjithatë, ky version do të konfirmohet vetëm pas ekzaminimeve të mëtejshme nga mjekësia ligjore.

Trupi i burrit 74-vjeçar u gjet me një plagë në kokë, ndërsa ai i gruas me një plagë në kraharor, të dy të shkaktuara nga armë zjarri. Vlen të theksohet se trupi i gruas ishte në një fazë më të avancuar të dekompozimit, gjë që sugjeron se ajo ka ndërruar jetë disa kohë përpara burrit.

Në vendngjarje u gjet një armë gjahu (karabinë) si dhe dy gëzhoja. Trupat u zbuluan pas një telefonate nga një banore e pallatit, e cila ishte shqetësuar për mungesën e çiftit. Ajo deklaroi se gruaja ishte shumë e sëmurë dhe se bashkëshorti i saj kishte kohë që ishte në gjendje të rënduar emocionale.

Policia ka bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë histori dhune në familje ndërmjet çiftit.

Deklarata zyrtare e Policisë Helenike:

“Pasditen e sotme, të enjten më 4 shtator 2025, trupat e një gruaje dhe të bashkëshortit të saj u gjetën në një apartament në zonën e Neos Kosmos. Të dy kishin plagë fatale të shkaktuara nga armë zjarri, e cila u gjet në vendngjarje, së bashku me dy gëzhoja.

Në vendin e ngjarjes u thirr mjekësia ligjore, ndërsa u informua edhe Prokuroria kompetente.

Nga hetimet paraprake nuk rezulton ndonjë histori dhune në familje për çiftin në fjalë. Hetimet janë duke u ndjekur nga Njësia e Hetimeve për Zbulimin e Krimeve në Atikë.”

Top Channel