Vdekja e Giorgio Armani-t, ceremonia mortore do të mbahet më 6 dhe 7 shtator! Bashkia e Milanos shpall të hënën ditë zie

04/09/2025 17:23

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, ka shpallur të hënën ditë zie për nder të stilistit legjendar Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta së fundmi.

Dita përkon me funeralin e ikonës së modës, e cila ka lënë një trashëgimi të thellë jo vetëm në qytet, por në mbarë botën.

“Giorgio Armani ishte dhe do të mbetet përgjithmonë një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të modës italiane dhe milaneze në mbarë botën,” tha Sala në një deklaratë zyrtare.

Ai e përshkroi Armanin si një njeri “plot talent dhe interesa”, që i dha formë krijimeve të tij përmes një stili të matur dhe tërheqës, në përputhje me personalitetin e tij të balancuar.

Sala theksoi se Milanos do t’i mungojë jo vetëm vizioni krijues i stilistit, por edhe pjesëmarrja e tij aktive dhe mbështetja ndaj jetës kulturore e qytetare të qytetit.

Armani, i cili ndërtoi një nga markat më të famshme të modës në botë, ka qenë për dekada një simbol i elegancës italiane dhe një kontribuues i palodhur në identitetin kulturor të Milanos.

Top Channel