“Të gjithë e kishin gabim për Putinin”, Merz: Duhet ta kishim kuptuar rrezikun që në 2008-ën

04/09/2025 18:22

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se të gjithë e kishin gabim për Putinin, në një intervistë me revistën franceze Paris Match.

Merz tha se gjithmonë kishte qenë skeptik, por se “duhet ta kishim kuptuar madhësinë e kërcënimit në vitin 2014, kur ai pushtoi Krimenë, dhe ndoshta që në vitin 2008, kur sulmoi Gjeorgjinë”.

Kancelari shprehu shpresën se një ditë do të përjetojmë përsëri marrëdhënie të mira fqinjësore me rusët. Por, tha ai, “fatkeqësisht, jemi shumë larg kësaj, sepse përballemi me regjimin e Putinit, një ‘sistem kleptokratik’ që i është afruar autokracisë gjatë viteve”.

“Le të kujtojmë madhësinë historike të asaj që po ndodh, duke sulmuar Ukrainën, Putin sulmoi vendin e dytë më të madh në kontinentin evropian”, theksoi ai.

I pyetur nëse do të fliste përsëri me Moskën, Merz tha se nëse kjo mund të ishte e dobishme në një farë mënyre, ai do ta bënte këtë.

“Qëllimi është të rikthehemi te rendi dhe respekti i ndërsjellë! Në kohën e bashkimit të Gjermanisë, gjërat nuk ishin të lehta, megjithatë ne punuam me Mikhail Gorbachev. Ky është ekuilibri që dinim pas rënies së BRSS në vitin 1991 dhe deri në vitin 2022. Putin nuk e respekton më këtë ekuilibër. Shpresojmë ta gjejmë përsëri”, vuri në dukje ai.

Së fundmi, në lidhje me marrëdhënien e Evropës me SHBA-në e Trump, Merz deklaron se është i bindur se “duke punuar shumë për t’u bërë më të fortë”, do të jetë e mundur të negociohet me amerikanët si të barabartë, ndërsa deklaron se është gati të bashkëpunojë me presidentin francez, Macron, të cilin e quan “mik” të tij, drejt nxjerrjes së Evropës nga “dobësia” dhe “varësia”.

Top Channel