Tarifat e Trump në Gjykatën Supreme, Shtëpia e Bardhë kërkon vendim urgjent për fuqitë e presidentit

04/09/2025 08:25

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka çuar çështjen e tarifave në Gjykatën Supreme dhe i ka kërkuar gjykatësve që të vendosin shpejt nëse presidenti ka fuqi për të vendosur tarifa mbi importet, sipas ligjit federal.

Administrata i bëri thirrje Supremes që të rrëzojë një vendim të Gjykatës së Apelit, e cila ka konstatuar se shumica e tarifave të vendosura nga Trumpi përbëjnë përdorim të paligjshëm të ligjit për fuqitë emergjente.

Ky është rasti i fundit në një sërë çështjesh të dërguara nga administrata amerikane në Gjykatën Supreme dhe pritet të vendosë para gjyqtarëve një prej shtyllave kryesore të politikës tregtare të presidentit Trump.

Gjykata e Apelit për Qarkun Federal i ka lënë tarifat në fuqi, por administrata i bëri thirrje gjykatës më të lartë në SHBA që të ndërhyjë shpejt, përmes një peticioni të dorëzuar në mënyrë elektronike mbrëmjen e 3 shtatorit. Pritet që çështja para gjykatës të regjistrohet zyrtarisht më 4 shtator.

Prokurori i Përgjithshëm, D.John Sauer, u ka kërkuar gjykatësve që ta trajtojnë rastin dhe të dëgjojnë argumentet e palëve në fillim të nëntorit.

“Ai vendim [i Gjykatës së Apelit] hedh një hije pasigurie mbi negociatat me shtetet e huaja që presidenti ka ndjekur përmes tarifave gjatë pesë muajve të fundit, duke rrezikuar si marrëveshjet kornizë tashmë të arritura, ashtu edhe negociatat që janë në zhvillim e sipër”, shkroi ai. “Rreziku në këtë rast është shumë i madh”.

Bizneset dy herë kanë fituar në gjykata, një herë në një gjykatë federale që merret me çështje tregtare dhe më pas në atë të Apelit.

Tarifat dhe zbatimi i tyre kanë tronditur tregjet globale dhe kanë rritur frikën për rritje të çmimeve dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

Por, Trump i ka përdorur tarifat për të ushtruar presion ndaj Bashkimit Evropian, Japonisë dhe shteteve të tjera që të pranojnë marrëveshje të reja tregtare me Uashingtonit. Të ardhurat nga tarifat kanë arritur në 159 miliardë dollarë deri në fund të ngushtit, që është dyfishi i të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Shumica e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit për Qarkun Federal gjetën se Akti i vitit 1977 për fuqitë ekonomike ndërkombëtare nuk i lejon Trumpit të uzurpojë fuqitë e Kongresit për të vendosur tarifa. Por, gjyqtarët që kundërshtuan vendimin thanë se ky ligj i lejon presidentit të rregullojë importet gjatë emergjencave pa pasur kufizime të qarta.

Vendimi përfshin dy grupe të tarifave ndaj importeve, që Trump i ka vendosur pas shpalljes së gjendjes emergjente kombëtare: tarifat e shpallura në prill dhe ato të muajit shkurt për importet nga Kanadaja, Kina dhe Meksika.

Kushtetuta amerikane i jep fuqi Kongresit për të vendosur taksa, përfshirë edhe tarifa. Por, gjatë dekadave të fundit ligjvënësit ia kanë deleguar këtë autoritet presidentit.

Disa tarifa të vendosura nga Trumpi, përfshirë ato mbi çelikun, aluminin dhe makinat e huaja nuk janë përfshirë në vendimin e Gjykatës së Apelit. Vendimi po ashtu nuk përfshin tarifat që presidenti amerikan vendosi ndaj Kinës gjatë mandatit të parë presidencial, tarifa që mbetën në fuqi edhe gjatë presidencës së Joe Bidenit.

Trump mund të vendosë tarifa edhe sipas ligjeve të tjera, por ato kanë më shumë kufizime mbi shpejtësinë dhe ashpërsinë me të cilat ai mund të veprojë.

Administrata amerikane ka argumentuar se, nëse tarifat shfuqizohen, mund t’i duhet të rimbursojë disa nga taksat e importit që ka mbledhur, gjë që do të shkaktonte një goditje financiare për Thesarin amerikan. /rel

Top Channel