
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka nderuar legjendën e modës, Giorgio Armani, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta në moshën 91 vjeçare.
Përmes rrjeteve sociale, Meloni shkroi: “Giorgio Armani na la në moshën 91 vjeç. Me elegancën, maturinë dhe kreativitetin e tij, ai i solli prestigj modës italiane dhe frymëzoi të gjithë botën. Një ikonë, një punëtor i palodhur, një simbol i më të mirës së Italisë. Faleminderit për gjithçka.”
Armani, i lindur më 11 korrik 1934 në Piacenza, konsiderohet një nga stilistët më të mëdhenj të historisë, duke revolucionarizuar modën italiane dhe botërore. Ai filloi karrierën e tij në Milano dhe themeloi markën e tij ikonike në vitin 1975, duke u bërë simbol i elegancës, minimalizmit dhe sofistikimit italian.
Gjatë më shumë se pesë dekadave në modë, Armani jo vetëm që krijoi koleksione të paharrueshme, por edhe një perandori globale që përfshin linjat Emporio Armani, parfumet, aksesorët dhe hotelet e luksit. Ai gjithmonë punoi deri në fund, duke miratuar personalisht koleksionin e tij të 50-vjetorit pak ditë para vdekjes.
Reagimet për ndarjen nga jeta e stilistit kanë qenë të menjëhershme nga liderë, artistë dhe personalitete të modës në mbarë botën, duke e cilësuar atë si një frymëzim të përhershëm dhe një ikonë të kulturës italiane.
Top Channel