
Është nisur një hetim pasi një gjysh mori gabimisht një fëmijë tjetër nga një qendër kujdesi për fëmijë në Sydney, Australi.
Gjyshi kishte shkuar për të marrë nipin e tij nga çerdhja First Steps Learning Academy, që ndodhet në lagjen jugore të Bangor, pasditen e së hënës. Por pa e kuptuar, ai mori një fëmijë tjetër që po flinte në një dhomë të errët.
Ngatërrimi u kuptua vetëm kur nëna e fëmijës së vërtetë arriti në qendër dhe zbuloi se djali i saj njëvjeçar nuk ndodhej aty, raportoi Sydney Morning Herald.
“Nuk mund ta përshkruaj dot atë ndjenjë,” i tha ajo gazetës.
“Ata nuk mund të më thoshin emrin e tij, kush ishte, kë kishte ardhur të merrte. Nuk dinin as si dukej, veçse që kishte veshur pantallona të shkurtra dhe ishte një zotëri i moshuar,” shpjegoi nëna, e cila kërkoi të mbetej anonime.
Sipas protokolleve të sigurisë, qendrat e kujdesit për fëmijët nuk lejojnë që fëmijët të merren nga persona të panjohur përveç prindërve, kujdestarëve apo personave të autorizuar.
Megjithatë, nëna theksoi se gjyshi nuk ishte fajtor.
“Nuk jemi të zemëruar me të. Nuk jemi të mërzitur me të – ne fajësojmë çerdhen,” tha ajo.
Gruaja e gjyshit tha për gazetën se bashkëshorti i saj ishte “i shkatërruar” dhe e kishte pranuar fajin.
“Kur e kuptoi çfarë kishte ndodhur, u kthye me shpejtësi të madhe për të dorëzuar fëmijën,” tha ajo.
Çerdhja First Steps i tha BBC-së se punonjësi i përfshirë në incident është pezulluar përkohësisht.
“Ne kërkojmë ndjesë të sinqertë familjeve të përfshira në këtë incident tejet shqetësues dhe të izoluar,” u shpreh drejtoresha e çerdhes, Trisha Hastie.
Ajo shtoi se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në asnjë prej qendrave të tyre, dhe se tashmë janë forcuar masat për të siguruar që kjo të mos ndodhë më.
Autoriteti Rregullator për Arsimin dhe Kujdesin e Fëmijërisë së Hershme në Uellsin e Ri Jugor bëri të ditur se ka nisur një hetim mbi këtë incident “shumë shqetësues dhe serioz”.
Ngjarja ndodh në një kohë kur në Australi po rritet ndjeshmëria ndaj sigurisë në qendrat e kujdesit për fëmijët, ndërkohë që muajin e kaluar u prezantuan ndryshime ligjore për përmirësimin e standardeve të sigurisë në këtë sektor.
Top Channel