Vajza e Kim Jong-un ia “vjedh” vëmendjen të atit në Pekin, a do të jetë ajo trashëgimtarja e re liderit Suprem të Koresë së Veriut?

03/09/2025 17:57

Për herë të parë që kur trashëgoi pushtetin nga i ati në vitin 2011, diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, mori pjesë në një samit ndërkombëtar të nivelit të lartë të krerëve të shteteve.

Në Pekin, ai ishte një i ftuar i veçantë i Xi Jinping, i cili e vendosi në rreshtin e parë: Kim në të majtën e tij dhe Vladimir Putin në të djathtën. Një mesazh i qartë i mbështetjes kinezo-ruse dhe një sinjal i fortë për Uashingtonin.

Por udhëtimi i Kim-it në Kinë po bën histori jo vetëm për praninë e tij politike, por edhe për shfaqjen publike të vajzës së tij, Ju Ae, e cila po i vjedh vëmendjen babait të saj. Për “koreanologët” ndërkombëtarë, kjo konsiderohet si një debutim i saj në arenën globale – ndoshta si trashëgimtare e ardhshme e regjimit.

Një “Zonjë e Parë” në moshë adoleshente

Që nga mbërritja e trenit të blinduar të Kim-it në Pekin, Ju Ae është trajtuar me protokoll zyrtar, vetëm një hap pas babait të saj. Ajo u përshëndet ngrohtësisht nga Cai Qi, figura e pestë më e rëndësishme në Byronë Politike të Partisë Komuniste Kineze, dhe nga ministri i Jashtëm, Wang Yi.

“Një yll i ri ka lindur në skenën politike globale,” shkruajnë mediat ndërkombëtare, teksa e shohin Ju Ae të prezantohet si një figurë e respektuar shtetërore.

Pse vajza dhe jo gruaja apo motra?

Kim nuk solli me vete bashkëshorten e tij, Ri Sol Ju, as motrën dhe këshilltaren e fuqishme, Kim Yo-jong. Analistët besojnë se zgjedhja për të marrë vajzën e tij lidhet me planin për ta paraqitur atë si trashëgimtare të pushtetit.

Ju Ae, e lindur më 2011 ose 2012, ka qenë e pranishme në publik që nga fundi i vitit 2022, shpesh në aktivitete ushtarake apo politike. Debutimi i saj i parë ndodhi më 18 nëntor 2022, gjatë testimit të raketës balistike ndërkontinentale Hwasong-17.

Në shkurt 2023, Koreja e Veriut madje lëshoi një seri pullash postare me imazhe të Kim-it dhe vajzës së tij. Propaganda shtetërore fillimisht e quajti një “fëmijë të dashur”, më pas një “vajzë fisnike”, dhe së fundmi e ka promovuar si një “figurë të madhe udhëheqëse”.

Nga kukull në “lidereshë të ardhshme”

Pamja e saj publike gjithashtu ka ndryshuar. Nga xhaketat e bardha të fëmijërisë, ajo tashmë shfaqet me xhaketa të zeza lëkure, duke u paraqitur më shumë si një figurë e rritur politike. Analistët shohin tek ajo një përpjekje të Kim Jong-un për ta mësuar me liderizmin dhe për ta përgatitur për trashëgiminë.

“Duke e shoqëruar vajzën e tij në raste të mëdha publike, Marshalli po i jep asaj mësime lidershipi dhe po ndërton një rrjet konsensusi për të që në moshë të re,” shpjegon Cheong Seong-Chang, analist në Institutin Sejong në Seul.

Një trashëgimtare në një regjim patriarkal?

Megjithëse në Korenë e Veriut pushteti është trashëguar tradicionalisht nga babai tek djali, zgjedhja e vajzës si figurë publike ka ngjallur spekulime se Ju Ae është favoritja. Kim Jong-un mendohet të ketë edhe një djalë, ndoshta më të madh, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Skeptikët theksojnë se është shumë herët për të folur për një pasardhëse, pasi Kim është vetëm 41 vjeç, pavarësisht problemeve të tij shëndetësore si mbipesha, hipertensioni dhe duhanpirja e rëndë.

Megjithatë, fakti që Ju Ae po shfaqet përkrah të atit në momente kyçe ndërkombëtare shihet si një hap strategjik për ta pozicionuar atë si një figurë politike në të ardhmen.

Top Channel