Putin fton Kim Jong-un në Moskë, lideri Suprem i Koresë së Veriut i jep fjalën presidentit rus: Do bëjmë gjithçka për t’iu ndihmuar

03/09/2025 16:20

Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të vizitojë Rusinë, gjatë një takimi të gjatë në Pekin në kuadër të paradës më të madhe ushtarake të Kinës.

Nga ana e tij, Kim premtoi se do të bëjë “gjithçka që mundem për të ndihmuar” Moskën.

Takimi mes dy liderëve autoritarë u zhvillua në prani të presidentit kinez Xi Jinping, me të cilin ata ndanë skenën në sheshin Tiananmen gjatë ceremonisë për 80-vjetorin e fitores mbi Japoninë në Luftën e Dytë Botërore. Është hera e parë që Xi, Putin dhe Kim shfaqen publikisht së bashku.

Në bisedimet dypalëshe që zgjatën mbi dy orë, Kim i tha Putinit “shihemi së shpejti”, ndërsa presidenti rus iu përgjigj: “Ne të presim, eja na vizito”. Një vizitë e tillë do të ishte e treta për liderin koreano-verior jashtë vendit në gjashtë vitet e fundit.

Mbështetja e Koresë së Veriut për Moskën

Që prej pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Koreja e Veriut është bërë një nga aleatët më të afërt të Rusisë. Pyongyang ka furnizuar Moskën me artileri dhe raketa, ndërsa mijëra trupa koreano-veriore janë dërguar në rajonin rus të Kurskut për të luftuar kundër forcave ukrainase. Putin falënderoi personalisht Kim-in, duke i quajtur ushtarët e tij “të guximshëm dhe heroikë”.

Vitin e kaluar, dy vendet nënshkruan një marrëveshje që i obligon të ofrojnë ndihmë ushtarake dhe të tjera në rast sulmi ndaj njërës palë.

Sulme masive ndaj Ukrainës

Vizita e Putinit në Pekin u shoqërua me një valë të re sulmesh mbi Ukrainën. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia lëshoi rreth 500 dronë dhe dhjetëra raketa drejt rajoneve qendrore e perëndimore, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe hekurudhat. Katër punonjës u plagosën, ndërsa Polonia ngriti në alarm forcat ajrore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se po demonstron “paprekshmërinë e tij” dhe kërkoi sanksione më të ashpra. “Agresioni vazhdon vetëm sepse nuk ka mjaftueshëm presion ndaj ekonomisë së luftës ruse”, tha Zelensky nga Danimarka, ku po zhvillon takime me liderët e vendeve baltike dhe nordike.

Negociatat për paqe dhe presioni ndërkombëtar

Zelensky ka pranuar një propozim të Donald Trump për një armëpushim dhe takime ballë për ballë me Putinin, por Kremlini ka shprehur rezerva. Nga ana e tij, Putin deklaroi se ka arritur “marrëveshje të caktuara” me Trump gjatë takimit të tyre në Alaskë muajin e kaluar.

Putin është subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte në Ukrainë, ndërsa ekspertë ligjorë kërkojnë që një mandat i ngjashëm të lëshohet edhe për Kim Jong-un, për shkak të mbështetjes që ai i jep Moskës.

Xi mes dy aleatëve

Ndërsa Pekini dhe Moska kanë shpallur një partneritet “pa kufi”, analistët theksojnë se Xi Jinping po përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Korenë e Veriut, duke shmangur në të njëjtën kohë sanksione të reja nga Perëndimi. Për momentin, nuk është shpallur një takim zyrtar trepalësh mes Xi, Putin dhe Kim.

Top Channel