Kostot e Evropës pa Amerikën, çfarë ndodh nëse SHBA tërheq ushtrinë pas rishikimit të planit të mbrojtjes?

03/09/2025 12:16

Njoftimet për planet e një rishikimi të mbrojtjes nga ana e Shteteve të Bashkuara, kanë ngjallur shqetësimin se shtetet europiane mund të përballen me një kosto të lartë për riarmatimin, të cilën ekspertët e llogarisin në gati trilion dollar.

Teksa përmend gjasat e një tërheqjeje dramatike të forcave amerikane nga kontinenti, raporti prej 106 faqesh i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me seli në Londër, evidenton mangësi në të gjitha fushat: në prodhim, inteligjencë dhe pajisje ushtarake si raketat me rreze të gjatë veprimi apo në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore.

“Një nga arsyet kryesore për këtë urgjencë më të madhe është kërcënimi ushtarak nga Rusia dhe pasiguria mbi angazhimin e SHBA-së për mbrojtjen e aleatëve evropianë”, thuhet aty.

“Vlerësimet strategjike ndryshojnë midis vendeve evropiane për atë se sa shpejt forcat ruse mund të përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për NATO-n në Europë, e afatet e tyre zakonisht variojnë nga dy deri në pesë vjet”, theksohet më tej. Sakaq, rishikimi global i forcave të Pentagonit pritet të publikohet gjatë këtij muaji dhe të paraqesë një zhvendosje të burimeve ushtarake nga Europa për në Azi/Paqësor.

“Disa zyrtarë të NATO-s besojnë se mund të ndodhë një reduktim deri në 30 për qind i trupave amerikane”, vazhdon raporti që mban titullin” Përparimi dhe Mangësitë në Mbrojtjen e Europës: Një Vlerësim”.

Udhëheqësit evropianë gjatë këtij viti kanë bërë plane në mënyrë se si t’iu përgjigjen këtyre sfidave. Në mars, në një samit të Bashkimit Evropian udhëheqësit u zotuan se do të shpenzojnë miliarda në mbrojtje, teksa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e quajti një “moment përcaktues për Europën”.

Top Channel