“FBI-ja” greke godet kontrabandën e karburantit, 22 të arrestuar dhe disa pika të pezulluara

03/09/2025 14:11

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Greqi nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar, duke goditur një rrjet të mirë organizuar që merrej me kontrabandën e karburanteve dhe mashtrimin ndaj qytetarëve.

Që prej ditës së djeshme, oficerët kanë ndërhyrë në dhjetëra pika karburanti dhe depo të benzinës në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Atikën, Selanikun, Artën, Trikalan, Larisën, Katerinin, Volosin dhe Lakoninë. Këto subjekte ishin nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autoritetet dhe sapo u konstatua aktiviteti i paligjshëm, nisi operacioni masiv.

Deri tani janë arrestuar 22 persona, ndërsa disa pika karburanti janë pezulluar nga aktiviteti. Arrestimet janë kryer në këto qytete:

13 në Atikë

3 në Selanik

2 në Trikala

2 në Igumenicë

1 në Spartë

1 në Volos

Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin instaluar softuer të paligjshëm në pompë, duke manipuluar sistemin elektronik të matjes dhe duke u shitur klientëve sasi më të vogla karburanti nga ajo që tregohej në aparaturë. Gjithashtu, ndaj tyre rëndojnë edhe akuzat për evazion fiskal dhe pastrim parash, përmes përdorimit të dokumenteve fiktive.

Gjatë kontrolleve, në Sindos të Selanikut u zbulua një depo me tretës që ishin importuar ilegalisht nga Rumania. Dyshohet se pas përpunimit të karburantit në këtë depo, ai shpërndahej në disa nga stacionet e përfshira në skemë.

Hetimet kanë zbuluar edhe lidhje të të dyshuarve me individë në Bullgari, vend nga ku besohet se ishte organizuar edhe importi i tretësve të përdorur në përzierjen e karburanteve.

Operacioni vijon dhe autoritetet kanë paralajmëruar arrestime të tjera në ditët në vijim. Ky nuk është rasti i parë i zbulimit të rrjeteve që merren me kontrabandë të karburanteve, manipulim të matësve elektronikë apo përpunim të karburantit me cilësi të dobët.

Top Channel