Është ekstraduar nga Italia 42-vjeçari, Hajrulla Xhivini, i cili në muajin shkurt të vitit 2024 kërcënoi gjyqtarin e Gjykatës Administrative Lushnjë.

Po ashtu është ekstraduar nga Gjermania edhe shtetasi Brian Syzo, i cili ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Njoftimi i policisë:

Vijon bashkëpunimi me homologët, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të kapur jashtë vendit.

-Ekstradohet nga Italia, një shtetas i cili gjatë muajit shkurt 2024, kanosi në mënyrë të përsëritur, për shkak të detyrës, gjyqtarin e Gjykatës Administrative Lushnjë.

-Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

1-Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit H. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë.

2-Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët gjermanë, u finalizua ekstradimi nga Gjermania, i shtetasit shqiptar B. S., 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shtetasi B. S. akuzohet për shitje të dozave të kokainës, në qytetin e Pogradecit.

Shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Top Channel