
Presidenti Donald Trump deklaroi se administrata e tij do të kërkojë dënimin me vdekje për rastet e vrasjeve që ndodhin në kryeqytetin amerikan, Washington, DC.
Gjatë një takimi me anëtarët e Kabinetit, Trump tha: “Nëse dikush vret dikë në kryeqytet, do të ketë dënim me vdekje. Kryeqyteti, dënim me vdekje. Nëse dikush vret dikë në Washington, DC, ne do të kërkojmë dënimin me vdekje.”
Presidenti e përshkroi këtë masë si një “parandalim shumë të fortë” dhe shtoi: “Nuk e di nëse jemi gati për këtë në këtë vend… por nuk kemi zgjedhje.”
Trump bëri të qartë se masa do të zbatohet për Washington, DC, ndërsa shtetet tjera do të kenë diskrecionin e tyre për të vendosur për dënimin me vdekje.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të implementohet urdhri, pasi Washington, DC nuk ka dënim me vdekje, por qeveria federale e ka. Për dallim nga vendet e tjera, prokurorët që trajtojnë rastet lokale të vrasjeve në Gjykatën Superior të DC-së punojnë nën qeverisjen federale si Avokatë të SHBA-së.
Ky vendim pritet të hapë debat të gjerë ligjor dhe politik, duke pasqyruar një nga premtimet më kontestuese të administratës Trump.
Top Channel