Merr fund saga e zgjedhjeve! Top Channel zbardh vendimin e KAS për Lapaj, mandatin në çdo rast e merr një zonjë. Të hënën vendos Kolegji

24/08/2025 22:51

Telenovela verore për një karrige në Kuvend që dhuruan Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, të hënën e 25 gushtit do të prodhojë një seri të re me protagonist Kolegjin Zgjedhor që pritet ti japë fund gjithë sagës së ankimimeve  për procesin e 11 majit.

Në  gjykatën zgjedhore Adriatik Lapaj do kërkojë që  mandati i vetëm të transferohet nga  e para e listës së mbyllur te i pari në listën e hapur, të cilën e udhëheq vete, duke shpresuar në  rrëzimin e vendimmarrjes së Komisionit te Ankimimeve dhe Sanksioneve, por një lëvizje e tillë duket mision i pamundur.

Pesë anëtarët e KAS në vendimin e tyre  te 30 korrikut për t’ia kaluar mandatin Ana Dajkos, të parës së listës së mbyllur  kanë analizuar edhe elementin e kuotës gjinore. Në argumentin e kësaj trupe  edhe nëse bëhet transferimi i mandatit,  në  të gjitha rastet duhet të kalojë në dorën e një zonje, pasi Kodi Elektoral përcakton qarte  se një grua nuk mund të zëvendësohet me një burrë, raporton Top Channel.

“Nëse kandidatja zgjedh të mos bëhet pjesë e Kuvendit, atëherë është Kuvendi që ka kompetencën të vejë në lëvizje KQZ-në, duke i kërkuar emrin e kandidatit zëvendësues, i cili, në zbatim të pikës 2, të nenit 164, të Kodit Zgjedhor duhet të vijë gjithashtu nga lista e mbyllur e subjektit dhe duhet t’i përkasë gjithashtu gjinisë së nën-përfaqësuar”, thuhet ne vendimin e KAS të zbardhur nga gazetarja e  Top Channel Elda Menga.

 Çështja e kuotës gjinore u reflektua  në Kodin Zgjedhor si një mekanizëm që burrat të mos u zënë vendin grave,  një element i  ëndësishëm, të cilën Adriatik Lapaj duket se nuk e kishte menduar mirë.  Në rast dorëheqjeje të Ana Dajkos, e para në listë, radha i shkon të dytës, Livia Stavri, partneres së Endri Shabanit, qëndrimet e të cilit ishin shkëndija që i dhanë jetë  telenovelës verore. 

Cilido që të jete vendimi i Kolegjit për mandatin e vetëm të “Shqipëria Bëhet”, nuk prek rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm i jep dritën jeshile certifikimit të rezultatit  në mënyrë që, edhe de jure  140 deputetët e dalë nga zgjedhjet të kenë mundësi të betohen në seancën e parë të legjislaturës së re parlamentare që nis më 10 shtator.

Top Channel