EMRAT/ Sherri nisi në ‘IG’, si u dhunua barbarisht 21-vjeçari në Tiranë! Tre autorët i shkuan në shtëpi, e goditën me sende të forta

22/08/2025 18:32

Detaje zbardhen nga ngjarja e rëndë ndodhur në Tiranë, ku tre persona dhunuan një 21-vjeçar.

Sipas informacioneve që ka siguruar gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, tre personat  Florjan Faslia, Mentor Daja dhe Samuel Tahiraj pas një konflikti që kanë pasur me 21-vjeçarin, që zanafillën e  ka pas në rrjetet sociale, (Instagram), i kanë shkuar pranë banesës dhe e kanë dhunuar me sende të forta.

I riu ka pasur shenja të dukshme dhune në fytyrë dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë policia arrestoi tre autorët që akuzohen për “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Specialistët  për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mihal Popi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në rrugën “Mihal Popi” pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Top Channel