E kryer! Ylli i kombëtares drejt Torinos, vendosmëria e Asllanit ishte arsyeja e kthesës së papritur me transferimin drejt Bolonjës

21/08/2025 12:48

I vjen fundi historisë me fund të lumtur më shumë për Asllanin dhe Torinon sesa për Interin.

Zikaltërit, pasi kishin bllokuar shitjen përfundimtare të mesfushorit të Kombëtares fillimisht me Betisin, që kishte ofruar rreth 12 milionë euro dhe më pas me Bolonjën që ofroi 10 milionë euro plus 40% të rishitjes në të ardhmen, do të duhet të kënaqen me një huazim me pagesë 1.5 milionë euro me të drejtë blerjeje për 12 milionë euro në fund të sezonit.

Ajo që e prishi ekuilibrin në favor të Torinos ishte pikërisht vendosmëria e lojtarit, pasi kishte refuzuar kategorikisht zgjidhjet jashtë Italisë, Kristjani ishte shumë pranë kalimit te Bolonja.

Por më pas negociatat me kuqeblutë ndaluan, pjesërisht për shkak të mungesës së marrëveshjes mbi pagën e Asllanit, diferencë prej 300 mijë eurosh mes kërkesës dhe ofertës, pjesërisht për mungesë bindjeje nga vetë lojtari për të përqafuar projektin bolonjez.

Kështu, pista e Torinos mori gjithnjë e më shumë formë. Bisedimet mes lojtarit dhe trajnerit Marco Baroni më pas zhdukën çdo dyshim, Asllani zgjodhi Torinon dhe ishte i palëkundur në vullnetin e tij.

Interi mori në konsideratë këtë pozicion dhe për të mbyllur çështjen, vendosi ta kënaqte lojtarin, duke pranuar edhe formulën e huazimit me të drejtë blerjeje.

Gjatë ditës priten kontakte mes drejtuesve zikaltër dhe atyre të Torinos për të hedhur gjithçka në letër, përveç ndonjë surprize të çastit, Asllani do t’i thotë lamtumirë Interit për t’u transferuar në Torino.

 

Top Channel