
Kancelari gjerman Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte udhëtojnë sot për në Uashington së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump.
Udhëtimi do të shërbejë “për të shkëmbyer informacione” me Trump pas takimit të tij me udhëheqësin e Kremlinit Vladimir Putin në Alaskë, njoftoi zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius. Temat e bisedimeve përfshijnë “garanci sigurie për Ukrainën, çështje territoriale dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën për t’u mbrojtur kundër agresionit rus”.
Partnerët evropianë duan edhe që të parandalojnë ndonjë përshkallëzim në takimin midis Trumpit dhe Zelenskit, sikurse ndodhi në muajin shkurt, kur ata të dy patën një debat në Zyrën Ovale para kamerave që ishin në transmetim të drejtpërdrejtë.
Zelenski: Garancitë për sigurinë janë thelbësore
Garancitë për sigurinë sipas modelit të NATO-s janë thelbësore për t’i dhënë fund luftës, tha Zelenski, i cili të dielën zhvilloi në Bruksel konsultime me partnerët e tij evropianë. Garancia duhet të funksionojë sikurse parashikon neni 5 i traktatit të NATO-s. Sipas tij vendet anëtare mund të mbështesin vendet e tjera aletate në rast të një sulmi dhe sulmi ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithë vendeve anëtare të NATO-s.
Von der Leyen e nënvizoi këtë qëllim dhe theksoi se SHBA-ja është gjithashtu e gatshme ta bëjë këtë. “Ne e përshëndesim gatishmërinë e Presidentit Trump për të kontribuar për garanci sigurie për Ukrainën të ngjashme me Nenin 5”, tha politikania gjermane. “Koalicioni i të vullnetshmëve” dhe BE-ja, janë të gatshme të kontribuojnë.
SHBA: Rusia dakord me garancitë për sigurinë
Sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, Rusia i pranon garanci të tilla sigurie. Por pranimi i Ukrainës në NATO është për Putinin një çështje që nuk mund të diskutohet, tha Witkoff për CNN. Sipas tij Rusia ka shprehur gjithashtu qëllimin e saj për t’u angazhuar për një marrëveshje paqeje dhe për të mos pushtuar territore të tjera në Ukrainë. Witkoff tha gjithashtu për Fox News se Rusia nuk duhet të cënojë asnjë kufi evropian.
Nga ana tjetër sipas disa mediave presidenti Vladimir Putin ka kërkuar që Ukraina të heqë plotësisht dorë nga rajoni Donbasit, që përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku – përfshirë edhe ato pjesë që nuk janë të pushtuara nga trupat ruse. Putini kërkon që këto rajone që gjenden në lindje të Ukrainës t’i kalojnë Rusisë./ DW
Top Channel