
Terence Stamp, aktori britanik simbol i “Swinging London” në vitet 1960, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, njoftoi familja e tij të dielën, sipas agjencisë Reuters.
Stamp u bë i njohur për herë të parë në vitin 1962 me rolin kryesor në filmin bardh e zi Billy Budd, me regji nga Peter Ustinov. Interpretimi i tij i solli një nominim për çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë në Rol Dytësor – i vetmi nominim i tillë në karrierën e tij të gjatë.
Në vitet 1960, ai luajti në një sërë filmash të rëndësishëm, përfshirë adaptimin e veprës së Thomas Hardy Far From the Madding Crowd me regji nga John Schlesinger, si dhe filmin debutues të Ken Loach Poor Cow.
Një yll që lindi larg Hollywood-it
Terence Stamp lindi më 22 korrik 1938 në East End të Londrës, në një familje modeste. Prindërit e tij ishin Ethel dhe Thomas, ky i fundit një detar.
Në një intervistë për Institutin Britanik të Filmit (BFI) në vitin 2013, Stamp rrëfeu se babai i tij e kishte dekurajuar nga ndjekja e një karriere në aktrim.
“Ai besonte vërtet se njerëz si ne nuk bënin gjëra të tilla,” tha Stamp.
“Por nëna ime e donte çdo sekondë të saj. Duke parë pas, duhet ta ketë dashur gjithmonë që unë ta ndiqja këtë rrugë, edhe pse nuk ishte në gjendje të më mbështeste hapur. Babai ishte kreu i familjes, dhe kurrë nuk mësova çfarë mendonte në të vërtetë, sepse ai i përkiste atij brezi që nuk shprehte kurrë ndjenja.”
Stamp e përshkroi babanë e tij si një njeri që punonte rëndë, duke nxjerrë qymyr me lopatë në ambiente të mbyllura, ku çdo shfaqje emocioni shihej si dobësi.
Në kulmin e famës së tij në vitet 1960, Stamp u bë një figurë ikonike, i lidhur romantikisht me emra të mëdhenj si modelja Jean Shrimpton dhe aktoret Julie Christie (me të cilën ndau ekranin në Far From the Madding Crowd) dhe Brigitte Bardot.
Ai kishte një miqësi të ngushtë në fillimet e tij me aktorin Michael Caine, me të cilin jetonte në të njëjtën dhomë. Megjithatë, rrugët e tyre u ndanë me kalimin e viteve.
“Ne thjesht ndoqëm rrugë të ndryshme. Ai ishte pesë vjet më i madh dhe, në shumë mënyra, më i pjekur se unë,” tha Stamp në një intervistë për The Guardian në vitin 2015.
“Caine më mësoi vlerat e para – të pres për projekte të mira dhe të mos bëja kompromise – por më pas e shihja të bënte të kundërtën, duke kaluar nga një film në tjetrin.”
Pas një pauze disa vjeçare nga ekrani, Stamp riktheu vëmendjen e publikut me rolin e Gjeneral Zod në filmin Superman (1978), një rol që e përsëriti në vazhdimin e vitit 1980. Më vonë, ironikisht, ai do të luante rolin e Jor-El, babait të Supermenit, në serialin televiziv Smallville.
Një tjetër nga rolet e tij më të spikatura ishte ai i Bernadette-s, një mbretëreshë “drag”, në komedinë australiane të viteve 1990 The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert.
Ai luajti gjithashtu në filma të njohur të Hollivudit si Wall Street dhe The Adjustment Bureau. Për karrierën e tij, Stamp ka thënë për The Guardian: “Nuk kam pasur kurrë ambicie të mëdha. Kam përjetuar zhgënjime dhe momente të vështira, ndonjëherë më është shuar dashuria për filmin, por ajo gjithmonë ringjallet.”
“Nuk kam nevojë për një pagesë të madhe që të ngrihem nga shtrati. Kam pranuar edhe projekte më të dobëta kur më duhej të paguaja qiranë. Por kur jam i qetë, mundohem të jap më të mirën.”
Martesa e tij e vetme ndodhi në vitin 2002 me një farmaciste australiane, 35 vjet më e re se ai. Martesa zgjati gjashtë vjet. Stamp nuk pati kurrë fëmijë.
Top Channel