“Vdekja kërkonte të më merrte”, fitoi betejën me sëmundjen e rëndë pas një muaji në koma, përlotet avokati Vishaj: Besoj shtatori do të më gjejë në gjykatë

14/08/2025 19:56

Avokati i njohur Saimir Vishaj fitoi “gjyqin” më të rëndësishëm të jetës, atë kundër sëmundjes së rëndë me të cilën luftoi për disa javë. 

Pasi mposhti sëmundjen dhe doli nga gjendja e komës, profesori i njohur i juridikut tregon në një intervistë për gazetaren e Top Channel Ana Kurti, se ligji më i rëndësishëm i kujtdo duhet të jetë të mos dorëzohesh, sado e rëndë të jetë situata.

“Aktualisht jam në rikuperim e sipër, gjendja është e kënaqshme, i gjithë ekipi mjekësor është fokusuar në shëndetin tim, kalova një gjendje shumë të rëndë kome dhe intubim. Në Shqipëri mu dha ndihma e parë nga QSUT rreth 15 ditë, por ishte e pamundur të vazhdoja në atë qendër dhe menjëherë kam ardhur në qendrën shëndetësore San Raffaelo në Milano dhe u jam nënshtruar të gjitha analizave, edhe pse kam qenë në gjendje kome dhe nuk mbaj mend gjë”, u shpreh ai.

Sëmundja ja dha mesazhin e parë atje ku ai ndihej si në shtëpinë e tij të dytë, në një sallë gjykate.

“Kam qenë në një seancë gjyqësore, ku sa ka mbaruar seanca kam rënë në gjendje kome dhe jam zgjuar në reanimacion pranë QSUT. Aty më është dhënë ndihma e parë, por kam qenë i intubuar dhe nuk kam ditur çfarë ka ndodhur me shëndetin tim”, tregoi avokati.

Mjekët në Itali i gjetën një diagnozë të rëndë, ku një prej organeve të tij nuk funksiononte dhe rëndonte shumë pranë mëlçisë, duke bërë që të mos prodhohej një substancë e cila furnizon trurin me oksigjen.

“Duket se kisha 35 vjet që isha shumë i lodhur nga puna, mbase dhe mungesa e kontrollit të vazhdueshëm bëri që të vij në këtë gjendje. Nuk kam pasur më parë shqetësime”, tha Vishaj.

Por cili ishte reagimi i parë kur ai u zgjua nga koma dhe kuptoi se çfarë kishte ndodhur?

“Çfarë mund të them ndryshe kur kam qenë mes vdekjes dhe jetës? Por shyqyr që ia dola… Besoj tani jam mirë, jam drejt rikuperimit… besoj shtatori do më gjejë në seancat gjyqësore”, thotë avokati.

Përmes rrjeteve sociale teksa po rikuperohet, avokati ndan vijimin e betejës me mesazhet për të jetuar e për t’ia dalë. Miq të njohur e të panjohur të botës virtuale i dhanë shumë dashuri, dhe kjo dashuri bën të përlotet edhe një burrë…

“Jo vetëm familjarë por dhe miq që kanë ardhur nga Shqipëria që më kanë vizituar… ju përqafoj të gjithëve…”, tha ai i përlotur.

Top Channel