
24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e shfrytëzoi për të përcjellë një apel të qartë në mbështetje të shqiptarëve, si “komunitet kyç në Maqedoninë e Veriut”, sikurse theksoi ai në fjalimin e mbajtur me këtë rast në Akademinë Solemne, ku tha se vendi ka nevojë sot më shumë se kurrë më parë “për” respektim të plotë dhe të sinqertë të kësaj marrëveshjeje”, e cila, sipas tij, po sulmohet çdo ditë.
“Pa shqiptarët nuk ka shtet stabil, dhe vetëm në partneritet me të gjitha komunitetet mund ta ndërtojmë një të ardhme evropiane. Besëlidhja jonë është për paqe, dinjitet, barazi, dialog dhe drejtësi….Ne jemi për paqe, ne jemi për dialog. Por jo të poshtëruar e të nënçmuar”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Teksa e përshkroi dokumentin historik si garancinë e paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian të vendit, ai nënvizoi se shqiptarët dhe maqedonasit kanë ndarë përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të përbashkët dhe të qëndrueshëm, ndërsa nuk harroi të përmendte sakrificat e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare.
“Ne do vazhdojmë të realizojmë amanetin, jo vetëm të ushtarëve të UÇK-së, familjeve të tyre..Jo vetëm amanetin e të plagosurve, invalidëve, por edhe amanetin e Rilindjes kombëtare e të gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për liri, për drejtësi, për barazi dhe do ecim përpara, do vazhdojmë të punojmë të gjithë bashkërisht duke dhënë një porosi për udhëheqësit politik të bashkëqytetarëve tanë maqedonas”, tha Ahmeti.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001, duke i dhënë fund konfliktit të armatosur mes forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Dokumenti u negociua me ndërmjetësimit e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së. Marrëveshja synonte mbylljen e luftës, ruajtjen e integritetit territorial të shtetit, por njëkohësisht edhe garantimin e të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve.
Top Channel