
Alvaro Morata më në fund është larguar nga Galatasaray, duke i dhënë fund kontratës me gjigantët turk dhe është gati të nënshkruajë për Comon.
Sulmuesi spanjoll, megjithatë, nuk e vlerësoi sjelljen e klubit turk dhe e shprehu zemërimin e tij në një mesazh të gjatë të postuar në rrjetet sociale.
“Të dashur tifozë të Galatasaray dhe popull turk. Dua t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës për dashurinë, ngrohtësinë dhe mbështetjen që më keni treguar. Më keni bërë të ndihem i mirëpritur që nga dita e parë dhe mbështetja juaj ka qenë ndër më të jashtëzakonshmet që kam përjetuar ndonjëherë në karrierën time”, shkruan Morata.
“Fatkeqësisht, nuk mund të them të njëjtën gjë për përvojën time me klubin. Kishte raste kur fjala e dhënë dhe respekti për vlerat themelore nuk u mbajtën. Angazhimet e marra nuk u respektuan deri në fund, deri në atë pikë sa nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të hiqja dorë nga një pjesë e pagës sime dhe të drejtave të tjera kontraktuale që kisha fituar tashmë falë punës sime”, vazhdon ai.
“Për mua, në jetë dhe në punë, ka parime që nuk duhen thyer kurrë, siç është respekti për të drejtat e të gjithëve. Mosnjohja dhe moskompensimi i asaj që është fituar është, për mua, e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e drejtësisë dhe profesionalizmit në të cilat besoj”, u shpreh bomberi spanjoll
“E di që këto çështje shpesh nuk diskutohen hapur, por besoj se është e drejtë t’u japim tifozëve shpjegimin e vërtetë të asaj që ndodhi. Ju dhe qyteti i Stambollit do të mbeteni gjithmonë në zemrën time dhe ju uroj gjithë të mirat, sot dhe në të ardhmen. Një falënderim i veçantë shkon edhe për trajnerin dhe stafin e tij fantastik: Jam i sigurt se do të vazhdoni të shkruani historinë e Galatasarayt. Falënderime të përzemërta të gjithë shokëve të mi të ekipit për momentet e ndara dhe të gjithë njerëzve që punojnë në mjediset stërvitore”, përfundon kapiteni i kombëtares spanjolle në postimin e tij.
Top Channel