
Marko Ljubisa, emër i njohur për drejtësinë malazeze, i njohur me nofkën Kan ka mbetur i plagosur pasditen e djeshme gjatë një përpjekjeje për atentat pranë një pishine në një hotel luksoz në Pržno, afër Budvës.
Sipas informacioneve të siguruara nga mediat malazeze, ai është qëlluar në kokë dhe në këmbë, por plagët nuk i rrezikojnë jetën.
Ngjarja ndodhi papritur, në një moment kur hoteli ishte i mbushur me turistë. Një dëshmitar ka rrëfyer për Telegraf detajet e sulmit:
“Autori iu afrua, ishte vetëm 20 centimetra larg tij. Kur deshi të qëllonte, rrëshqiti në pllakat e lagura pranë pishinës. Kjo e bëri të humbiste ekuilibrin, plumbi nuk e goditi drejtpërdrejt në kokë, por e kapi në këmbë dhe një tjetër e gërvishi në kokë.
Mjeku i tha menjëherë: ‘Duket se nuk është gjë serioze.'”
Gjatë momentit të të shtënave, paniku përfshiu të gjithë të pranishmit në hotel, ndërsa sulmuesi u soll si një turist i zakonshëm. Dëshmitarët thonë se ishte një i ri në moshë, sipas mediave vendase.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, Ljubiša u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga informacionet e para, autori u largua me shpejtësi me një automjet BMW në drejtim të Petrovacit. Policia ka rrethuar zonën përreth Budvës dhe po zhvillon një operacion intensiv kërkimi. Janë ngritur postblloqe në dalje të qytetit dhe po analizohen pamjet nga kamerat e sigurisë të hotelit dhe zonës përreth.
Marko Ljubiša Kan është një emër i njohur për strukturat e sigurisë në Mal të Zi dhe Serbi. Ai ka qenë shënjestër e disa atentateve përgjatë dekadës së fundit dhe u ka mbijetuar disa herë përpjekjeve për vrasje në të dyja vendet.
Hetimet vijojnë dhe autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që atentati të jetë i lidhur me përplasjet midis grupeve kriminale në rajon.
Top Channel