
Politiku australian Gareth Ward ka dhënë dorëheqjen nga parlamenti i Uellsit të Ri Jugor (NSW) vetëm pak çaste para se të përjashtohej zyrtarisht, pasi humbi një sfidë ligjore për të qëndruar në detyrë pas shpalljes fajtor për sulm seksual ndaj dy të rinjve.
Ward, 44 vjeç, u shpall fajtor muajin e kaluar për përdhunim dhe sulm seksual ndaj dy burrave, të moshës 18 dhe 24 vjeç, në periudhën midis viteve 2013 dhe 2015. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim dhe pret dënimin, ndërkohë që ka njoftuar synimin për të apeluar vendimin e gjykatës.
Dorëheqja e tij si anëtar i pavarur për zonën e Kiama-s u dorëzua të premten në orën 09:08 sipas kohës lokale – më pak se dy orë para se parlamenti të mbante një votim për përjashtimin e tij në orën 10:30.
Me këtë veprim, Ward shmangu një përjashtim zyrtar, por humbi të drejtën për të marrë më tej rrogën si deputet dhe shkaktoi automatikisht zgjedhje të pjesshme në elektoratin që përfaqësonte që nga viti 2011.
Përpjekjet e Ward për të bllokuar përjashtimin përmes një sfide ligjore u hodhën poshtë të enjten nga gjykata, e cila nuk e pranoi argumentin e tij se masa për përjashtim para përfundimit të apelimit përbënte “një fyerje ndaj themeleve të demokracisë përfaqësuese”.
Kryeministri i NSW-së, Chris Minns, reagoi menjëherë pas dorëheqjes, duke thënë se ajo “duhej të kishte ndodhur shumë më herët”. “Nëse dënohesh për disa nga krimet më të rënda, nuk mund të përfaqësosh komunitetin tënd nga prapa hekurave”, u shpreh ai.
Ndërkohë, lideri i opozitës në shtet, Mark Speakman, e cilësoi dorëheqjen e vonuar të Ward dhe përpjekjet për të mbetur në parlament si “të turpshme” dhe “lojëra me publikun dhe institucionet”.
Ward ishte larguar nga Partia Liberale dhe kishte dhënë dorëheqjen si ministër në vitin 2021 kur akuzat dolën për herë të parë në publik, por qëndroi në parlament si i pavarur dhe u rizgjodh në vitin 2023.
Vendimi për dënimin e tij pritet të shpallet muajin e ardhshëm.
Top Channel